Britania e Madhe ka konfirmuar sot të katërtin, dhe Spanja rastin e dytë me koronavirus, ndërkohë që autoritetet evropiane kërkojnë të frenojnë përhapjen e virusit duke gjetur njerëz që ishin në kontakt me të infektuarit.

Të dy individët konfirmuan se ishin infektuar me virus gjatë udhëtimit në Francë, thanë zyrtarët britanikë dhe spanjollë.

Autoritetet shëndetësore në Francë u përqendruan në një vendpushim skish në Alpe, ku pesë shtetas britanikë, përfshirë një fëmijë nëntë vjeç, u infektuan me virusin e ri. Mjekët testojnë qindra fëmijë dhe familjet e tyre në vendpushimin Contamines-Montjoie, në afërsi të pikës më të lartë në Evropë, Mont Blanc.

Ministrja e Shëndetësisë së Francës Agnes Buzyn vizitoi sot vendin turistik dhe siguroi vendasit dhe turistët se ata mund të “jetonin normalisht” pasi ekzistonte “shumë pak rrezik” për t’u infektuar.

Sidoqoftë, fakti që një britanik që u infektua gjatë një udhëtimi pune në Singapor mund të infektonte njerëz të tjerë në Alpet franceze pas disa ditësh, tregoi mundësinë e epidemisë për t’u përhapur më tej, transmeton KosovaPress.

Autoritetet në rajonin italian të Toskanës po përpiqen të rindërtojnë lëvizjen e një çifti tajvanez që kaluan katër ditë në një hotel në Firence. Çifti fluturoi në Hong Kong më 1 shkurt dhe më pas në Tajvan, konfirmuar më vonë se ishin prekur me koronavirus.

Ndryshe, sipas të dhënave të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, deri më tash janë regjistruar 813 të vdekur nga koronavirusi dhe mbi 37 mijë të infektuar të tjerë në gjithsej 28 shtete të botës që nga shpërthimi i epidemisë në fund të vitit të kaluar.

Share.