Sllovakia ndaloi dje përdorimin e vaksinës ruse kundër koronavirusit Sputnik V.
Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Zuzana Eliasova, tha se mbi 18.500 qytetarë sllovakë janë vaksinuar tashmë me këtë vaksinë.
Në muajin mars, Sllovakia ka blerë 200.000 doza Sputnik V, duke u bërë shteti i dytë anëtar i Bashkimit Evropian, pas Hungarisë, që furnizohet me të tilla.
Sputnik V nuk është miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave – EMA. Katër vaksinat e miratuara nga kjo agjenci janë: Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson and Johnson.
Blerjet e Sputnik V kanë shkaktuar reagime të mëdha politike në Sllovaki, ndërsa kërkesa për këtë vaksinë ka qenë e ulët.
Tre anëtarë të koalicionit qeverisës me katër parti kanë qenë kundër blerjeve. Polemikat kanë çuar në dorëheqjen e kryeministrit të atëhershëm, Igor Matoviq, dhe të ministrit të Shëndetësisë, Marek Krajci.
Qeveria e ristrukturuar, e kryesuar nga Eduard Heger, është formuar më 1 prill. Në një intervistë për AFP në muajin qershor, Heger ka thënë se vendimi i Sllovakisë për blerjen e vaksinës ruse është marrë për shkak të presionit për furnizim në atë kohë dhe se ai nuk do të përsëritet.
“Vendimi është marrë nën ndikimin e fortë, ndoshta ndikimin më të fortë të pandemisë. Ne kishim nevojë për shumë vaksina”, ka thënë Heger.
Sllovakia, vend me 5.4 milionë banorë, ka regjistruar 394.923 raste me koronavirus që nga fillimi i epidemisë, pranverën e kaluar. Prej tyre, 12.548 pacientë kanë humbur jetën./tch/TV Malisheva