Në komunë e Obiliqit kohët e fundit është rritur interesimi i qytetarëve për vaksinim, ndërsa tashmë deri më datën 6 shtator janë të mbushura të gjitha terminet për vaksinim kundërCOVID-19.
Deri tani në këtë komunë janë vaksinuar mbi 11 mijë e 800 qytetarë, ndërsa Pfizer vazhdon të jetë vaksina më e kërkuar.
Kështu ka bërë të ditur menaxherja e qendrës së vaksinimit në Obiliq, Rejhane Zhushi-Musliu e cila tregoi se dozën e parë në këtë komunë deri tani e kanë marrë 7 mijë e 813, ndërsa dozën e dytë 3 mijë e 997.
“Vaksinimi po shkon në rregull. Ka mjaft interesim të qytetarëve në ditët e fundit për t’u vaksinuar. Në komunën e Obiliqit janë rreth 11 mijë e 810 të vaksinuar deri më datën 31 gusht. Çdo gjë po shkon në rregull interesim. Terminet janë të mbushura deri më 6 shtator. Nga MSH jemi informuar se do të hapen terminet… Me dozën e parë 7 mijë e 813, me dozën e dytë 3 mijë e 997… Sipas termineve, furnizohemi nga IKSHP në bazë të terminëve. Edhe dozat janë të siguruara”, tha ajo.
Epidemiologia Zhushi- Musliu tha se brenda ditës në qendrën e vaksinimit po vaksinohen deri në 300 persona. Ajo thotë se obiliqasit më shumë po preferojnë llojin e vaksinës Pfizer, ndërsa më pak po preferojnë kombinimin e vaksinave.
“I kemi dy ekipe paradite, dy pasdite. Rreth 300 persona vaksinohen brenda ditës. Janë vaksinat e planifikuara. Dy lloje AstraZeneca dhe Pfizer… Iu është dhënë mundësia për të zgjedhur. Ata po zgjedhin më tepër Pfizer, ka të interesuar edhe për AstraZeneca, por shumica po përzgjedhin Pfizer… (Kombinimi i vaksinës) mund të them që është praktikuar, por shumë pak”, tha ajo.
Në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq, e cila është shndërruar në qendër vaksinimi, sot kishte ardhur Fatlum Sadiku, i cili tash e dy javë e kishte bërë termin për vaksinim. Ai thotë se përkundër vështirësive për termin tashmë në qendrën e vaksinimit gjithçka po shkon mbarë e mirë.
“Sot kam ardhur të marrë vaksinën. Terminin e kam bërë para dy javësh. Ka qenë problem që të gjendet një vend për shkak se menjëherë janë bllokuar terminët. Tash po pres ta marr dozën e parë… Nuk kam pasur dilema për ta marrë vaksinën, po mendoj pse nuk e kam marr më herët…Tash sa erdha, në rregull po shkon, nuk ka shumë njerëz”, tha ai.
Dozën e dytë të vaksinës sot po e merr Naim Kurteshi, i cili apelon që të gjithë qytetarët e Kosovës të vaksinohen sa më shpejt. Sipas tij i gjithë procesi për imunizim në komunën e Obiliqit po shkon pa ndonjë telashe.
“Dozën e dytë po e marr. Jo, nuk kam pasur problem. Si kam ardhur, e kam marrë. Nuk kemi pasur probleme… Tash pritje ka pak. Nuk paska shumë, tani erdha…Të gjithë qytetarët t’i marrin vaksinat sepse është në të mirë të popullit”, u shpreh ky qytetar.
Kosova javët e fundit po ballafaquar me një situatë të rëndë pandemike, ku vetëm në 24 orët e fundit kanë vdekur 26 qytetarë, ndërsa janë infektuar 1 mijë 383 persona. Në total deri më tani në Kosovë janë vaksinuar mbi 825 mijë e 700 persona, prej tyre dozën e parë e kanë marrë mbi 548 mijë qytetarë, ndërsa me dozën e dytë janë imunizuar 276 mijë persona./TV Malisheva