Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kritikuar kundërshtarët e idesë së “Ballkanit të Hapur” në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë.
Kreu i fqinjit verior të Kosovës tha se përmes iniciativave të tilla tejkalohen vështirësitë ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, disa njerëz nuk po e dëshirojnë, pasi nuk e kanë “timonin” në duart e tyre, por siç tha, ai nuk mërzitet për ta.
Në panel me disa prej liderëve të shteteve evropiane, Vuçiq tha se BE nuk ka mbështetur mjaftueshëm rajonin ballkanik në fushën e ekonomisë dhe për këtë së bashku me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore kanë nisur idenë e “Ballkanit të Hapur” që sipas tij, tejkalon barrierat ekonomike.
“Filluam të gjejmë vetë mënyra për të kapërcyer vështirësitë ekonomike. Kjo është se pse e krijuam mekanizmin tonë për të kapërcyer të gjitha vështirësitë, përfshirë “Ballkanin e Hapur”. Dëshirojmë të kemi qarkullim të lirë pa kufij në të ardhmen. Edhe pse janë disa njerëz që nuk e dëshirojnë këtë, sepse nuk e kanë timonin në duart e tyre, por të themi të vërtetën, ne nuk mërzitemi për ata më. Ajo çka dëshirojmë të shohim ne është se çfarë do të jetë e ardhmja për të gjithë ne”, ka thënë Vuçiq.
Pjesë e panelit diskutues në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë ishte edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili tha se BE-ja ka nevojë më shumë për pranimin e Serbisë, se sa kjo e fundit për BE-në.
“Shteti çelës është Serbia, pa e pranuar Serbinë si një shtet të ri të Bashkimit Evropian, nuk ka asnjë arsye për të folur për ndonjë siguri, ose për ndonjë identitet të përgjithshëm evropian. Serbia është shteti kyç, dhe e vërteta është se shtetet e Bashkimit Evropian më shumë kanë nevojë për pranimin e Serbisë, se sa që ka nevojë Serbia për to dhe për anëtarësim. Këto janë çështje të strategjisë gjeopolitike, kemi nevojë për Serbinë për shkak të gjeopolitikës”, tha ai.
Ndryshe, Kosova e kundërshton në ҫdo formë “Mini-Shengenin Ballkanik”, nismë kjo që iu ndërrua emri në “Ballkani i Hapur”, nga tre udhëheqës në Ballkan, Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe Zoran Zaev. Tre udhëheqësit e tri vendeve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, nënshkruan në Shkup më 29 korrik marrëveshjen me të cilën synojnë të heqin kontrollet në kufijtë e tyre për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve, duke filluar nga 1 janari 2023.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nga ana e tij nuk mori pjesë në këtë forum, ndërsa, zyra e tij marrëveshjen e cilësoi si një ide të Novi Sadit, apo e ashtuquajtur “Mini-Shengen”.
Ditë më parë idenë e iniciativës së “Ballkanit të Hapur” e kritikoi edhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak./TV Malisheva