Sot, me rastin e 22 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, e ka vizituar stacionin policor në Malishevë, ku është pritur nga komandanti i stacionit, kapiteni Azem Krasniqi dhe zyrtarë tjerë policor. Nënkryetari Berisha, i ka uruar zyrtarët policor, me rastin e Ditës së Policisë së Kosovës.
“Të gjithë e dimë se ka qenë një sakrificë dhe përkushtim i jashtëzakonshëm për themelimin e policisë së vendit tonë, menjëherë pas luftës. Policia jonë ka luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë dhe kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, për çka ne të gjithë ju jemi mirënjohës për punën që keni bërë dhe po bëni çdo ditë. Krahas të gjitha obligimeve dhe punëve që keni çdo ditë, policia ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm edhe në menaxhimin e pandemisë Covid-19, si dhe në të rastet tjera të emergjencave. Në emër të Komunës së Malishevës dhe në emrin tim personal, ju uroj me rastin e “Ditës së Policisë” dhe ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme që bëni çdo ditë, e po ashtu ju falënderoj për bashkëpunimin me institucionin e komunës”, ka thënë nënkryetari Berisha, gjatë vizitës në stacionin policor në Malishevë me rastin e shënimit të 22 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiteni Azem Krasniqi, e ka falënderuar nënkryetarin Berisha për vizitën dhe urimet, me rastin e 22 vjetorit të themelimit të Policisë, e gjithashtu e ka falënderuar edhe komunën për bashkëpunimin. Kapiteni Krasniqi, në veçanti i ka falënderuar të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, për sjelljen korrekte, bashkëpunimin e mirë dhe mirëkuptimin që kanë për punën e policisë. /TV Malisheva