Trajneri Reja ka ndarë grupin në dy pjesë, duke rezervuar një ngarkesë më të lehtë për futbollistët që luajtën dje ndaj Hungarisë, ndërsa sulmuesi Sokol Cikalleshi vijoi të stërvitet i diferencuar, për shkak të një problemi në gju.
Për sfidën ndaj San Marinos janë konfirmuar mungesat e Klaus Gjasulës për shkak pezullimi dhe atyre të Amir Abrashit, Lorenc Trashit e Sokol Cikalleshit për shkak dëmtimi, ndonëse për këtë të fundit ka ende një dritare shprese.
Ndërkohë lajm i mirë është rikthimi i Elseid Hysajt, Keidi Bares dhe Rey Manajt, të cilët shlyen pezullimin për shkak kartonësh dhe do të jenë në dispozicion të Rejës për ta nisur nga minuta e parë përballjen me San Marinon.
Kuqezinjtë kanë grumbulluar 9 pikë pas 5 ndeshjesh eliminatore dhe pozicionohen në vendin e tretë, ndërsa të mërkurën në mbrëmje do të kërkojnë një tjetër sukses ndaj San Marinos për të mbajtur gjallë ëndrrën për një vend në Kupën e Botës Katar 2022. /TV Malisheva