Nëse ju qëllon të vizitoni Singaporin këto kohë, mos harroni t’ia bëni me dorë njërit prej fqinjëve tuaj miqësorë – këta janë robotët spiunë me emrin e famshëm spanjoll ‘Xavier’ që shqiptohet Havier.
Agjencia HTX në Singapor sapo ka vënë në punë dy robotë ‘Xavier’ të cilët sipas agjencisë, përdorin kamera me një fushë pamje prej 360 gradësh si dhe një software apo program analitik i cili është në gjendje të pikasi apo peshkojë ‘sjellje sociale të padëshiruara’ – në kohë reale.
Robotët e raportuar për herë të parë nga Business Insider, janë dizajnuar për të pikasur veprimtari si pirja e duhanit në publik apo shkelja e masave anti-COVID (p.sh. grupe me më shumë se 5 veta), apo shitja e mallrave të jashtëligjshëm në rrugë etj.
Në momentin e parë që Robotët Xavier pikasin një sjellje të padëshiruar, ata nisin një alarm drejt rajoneve të policisë të cilët vendosin për masat që duhen marrë në vazhdim, raporton euronews.
Robotët mund edhe të telekomandohen nga oficerët e policisë, të cilët mund të aktivizojnë zërin dhe t’u flasin qytetarëve që janë prezent në rrugë në mënyrë direkte.
Sigurisht, kritikat nuk janë të pakta kur bëhet fjalë për raste të tilla, kur teknologjia përdoret për të përgjuar, spiunuar apo kontrolluar – raste që po vijnë gjithnjë e duke u shtuar.
Policia amerikane e ka shumë-fishuar vitet e fundit përdorimin e dronëve nga ajri, diçka që ka sjellë shqetësime të shumta rreth shkeljes së të drejtave themelore të privatësisë.
Por, përpjekjet e tyre për të vënë në punë robotë ‘spiunë’ tokësorë janë përballur me reagime edhe më të ashpra, sidomos pas rastit kur policia e Dallas, Teksasit përdori një robot të pajisur me bombë në vitin 2016, për të vrarë një të dyshuar që mendohej se kishte vrarë 5 oficerë të policisë.
Diçka është e sigurt, përdorimi i teknologjisë dhe robotikës për të përgjuar dhe analizuar sjelljet tona në shoqëri, po vjen gjithnjë e duke u shtuar. /TV Malisheva