Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës, Isni Kilaj, do të garojë për kryetar të Malishevës në zgjedhjet e 17 tetorit, shkruan TV Malisheva.
Ish-kryetari i Malishevës ishte larguar nga pushteti pas ndarjes së Partisë Demokratike të Kosovës, ku pastaj ishte formuar Nisma Socialdemokrate e cila sot qeverisë në Malishevë.
Në vijim gjeni biografinë e kandidatit për kryetar të Malishevës nga radhët e PDK-së, Isni Kilaj:
Biografia e kandidatit tonë për Kryetar të Malishevës
Isni Kilaj, kryetari Juaj,
Një Jetë në Malishevë, Një Jetë me Malishevën dhe për Malishevën.
Isniun e kemi pasur kudo, dhe do ta kemi përherë.
Kur Malisheva pati nevojë për shkolla fillore, për shtëpi të kulturës, për parqe, për stadium, këto i kërkuam nga Isni Kilaj. Dhe ai i ndërtoi.
Parku i qytetit, Parku i Mirushës, Stadiumi i qytetit, Shtëpia e Kulturës, Muze dhe Qendra e Kompetencës, të gjitha këto u ndërtuan gjatë kohës sa Isniu ishte Kryeshef Ekzekutiv dhe Kryetari i Komunës prej vitit 2003 deri në vitin 2013, kur përfundoi mandatin e dytë si kryetar.
Kur vendbanimet e Malishevës kishin nevojë për dije e arsimim ishte Isniu ai që ua ndërtoi shkollat e ua mundësoi nxënësve t’i ndjekin ato pranë shtëpiave të tyre e në vendet ku kishin lindur. Gjatë qeverisjes së Isniut u ndëtuan shkollat në: Malishevë, Banjë, Dragobil, Burim, Carallukë, Senik, dy shkolla në Drenoc, Kijevë, Golluboc, Damanek, Llapçevë dhe Temeqinë, Pagarushë, Guriq.
Kur Kosova filloi me hov ta përmbyllë procesin e shtetndërtimit e të fillojë me atë të zhvillimit e mirëqenies, z. Kilaj u bë pjesë e këtij procesi. Ai shërbeu si zëvendës ministër në Ministrinë e Financave në vitin 2015, si dhe zëvendës ministër në atë të Bujqësisë, Diasporës dhe Investimeve Strategjike deri në vitin 2018.
Përtej kësaj, kur Kosova ishte e pushtuar nën regjimin e Serbisë e vendi kishte nevojë për çlirimtar e çlirim, ishte Isniu ai që iu përgjigj ftesës. Bashkethemelojë N.O. Lumi e deri në fund të luftës, z. Kilaj ishte me pushkë në krah në mbrojtje të Kosovës e për çlirim të saj.
Por edhe më herët. Në vitin 1992 Isniun e larguan nga puna për veprimtari politike. Në të njëjtin vit arrestohet si i burgosur politik. Kjo pasi e kishte themeluar degën e LDK-së për Malishevë më 30 janar 1990.
Deri më 1992 Isniu kishte punuar si kontabilist në NBSh Mirusha për katër vite, 1988-1992.
Kilaj ka diplomuar në vitin 1987 në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetit të Prishtinës. Ka kryer një specializim dhe është certifikuar nga Shkolla e Lartë për Qeverisje Lokale në Lubjanë, viti 2000 për Qeverisje Lokale.
Qytetar nderi i Little Rock, i cili është kryeqytet i Arkansas. Është vendlindja e Bill Clintonit. Viti 2004.
Është i martuar dhe baba i 6 fëmijëve (4 vajza dhe 2 djem).
Përvoja e veçantë e z. Kilaj është e mahnitshme për një kandidatë. Aktivizmi politik, përvoja ushtarake, qeverisja lokale e ajo qendrore e bëjnë Isniun kryetar të pazëvendësueshëm për sfidat e nevojat e së ardhmes në Malishevë. Për Malishevën e zhvillimit e dinjitetit.
Nuk i iku kurrë punës. Nuk u fsheh kur e kërkonin për arrestim. Nuk u frikësua në kohë lufte. Nuk u dorëzua gjatë qeverisjes lokale. Nuk e theu kurrë premtimin e dhanë. Gjithmonë e mbajti fjalën.
Lindi në Lubizhdë të Malishevës në vitin 1963. Kandidon për Malishevë sot.
Do ta qeverisë atë nesër, bashkë me Malishevën, për Malishevën. /TV Malisheva