Bujqësia po vuan mungesën e fuqisë punëtore. Punonjësit në këtë sektor u tkurrën me rreth 29.8 mijë persona në tremujorin e dytë të vitit, duke e çuar numrin e tyre në mbi 416 mijë të punësuar në fund te qershorit.
Që prej vitit 2012 kur sektori bujqësor numëronte mbi 520.3 mijë persona të punësuar, numri i tyre sipas të dhënave të Instat është ulur me mbi 104 mijë persona, ndërsa tendenca është gjithnjë e në rënie.
Për Ilir Pilkun, ekspert i politikave bujqësore emigracioni i lartë dhe pagat e ulëta në bujqësi janë faktorët kryesorë që po çojnë në uljen e krahut të punës.
“ Në radhë të parë është mungesa e planeve të mirëfillta për zhvillimin e bujqësisë, nuk kemi studime të mirëfillta tregu. Ajo që shikohet sot në zonat rurale dhe në zonat e bregdetit ku janë aktivitete si agrumet, vreshtaritë ne kemi një problematikë të jashtëzakonshme në gjetjen e fuqisë punëtore. Nuk ka incentiva dhe qëndrueshmëri në sektorin bujqësor, kjo është një nga arsyet që individët në zonat rurale ndihen më të sigurt duke shkuar në emigracion qoftë edhe me punësime sezonale. Marzhet e fitimit të bujqësisë në prodhimin primar nuk janë kaq të larta sa ne të jemi konkurrues në paga në raport me vendet fqinje.”
Teksa parashikon një situatë më të përkeqësuar në vijim në këtë sektor si pasojë e zhvendosjes së të rinjve drejt zonave urbane dhe largimit të një pjese të tyre në emigracion, Pilku thekson nevojën e masave emergjente për frenimin e këtij fenomeni.
“Duhet një plan më i mirë zhvillimi për bujqësinë, kryesisht një orientim më të mirë të fermerëve që lidhet me produktin, varietetin dhe skedat teknologjike që do rrisnin automatikisht efikasitetin e bujqësisë duke bërë që të sjellë edhe paga më të larta të fuqisë punëtore. Mbështetje financiare dhe incentiva për të rinjtë që të qasen drejt bujqësisë.”
Bujqësia është sektori më i madh i ekonomisë shqiptare, por vitet e fundit pesha e saj ka shfaqur një tendencë rënëse duke bërë që kontributi saj në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar të arrijë në 19.2% në fund të vitit 2020. /TV Malisheva