Ditën e djeshme ka filluar edhe zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e 17 tetorit, shkruan TV Malisheva.
Tubim duke respektuar masat e pandemisë, vendosje të sinjalizuesve e postime në Facebook. Kështu kishin zgjedhur ta bënin hapjen e fushatës zgjedhore, kandidatët që pretendojnë ulsën e të parit të Komunës së Malishevës.
Fillimisht ishte kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Malishevës, Bajrush Hoti, i cili përmes një aksioni simbolik duke vendosur disa sinjalizues në qendër të Malishevës kishte vendosur ta bënte hapjen e fushatës zgjedhore.
Ndërsa, për dallim nga Bajrush Hoti i LDK-së, ngjashëm nuk kishte vepruar kandidati i VV-së. Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, që synon kreun e të parit të Komunës së Malishevës, Alban Krasniqi, kishte zgjedhur Sheshin e Dëshmorëve në Malishevë, të bënte hapjen zyrtare të fushatës.
Veçohet se kjo parti kishte zgjedhur të organizonte në ambient të hapur një tubim, por gjithnjë duke respektuar masat e pandemisë.
Të pranishëm në hapjen e fushatës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë u panë të jenë edhe ministrja Albulena Haxhiu, e deputeti i zëshëm Armend Muja.
Kurse, ndryshe nga Hoti e Krasniqi, ka vepruar kandidati për kryetar të Malishevës, nga radhët e PDK-së, Isni Kilaj.
Kilaj kishte vendosur që një gjë të tillë ta bënte përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook. Ai ka thënë se partia e tij dhe ai si kandidat për kryetar janë zgjidhja e vetme në Malishevë. /TV Malisheva