Mbrojtja e deputetit Ivan Todosijeviq ka parashtruar në Gjykatën Supreme kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, ndaj vendimit me të cilin ai u dënua me dy vite burgim për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka.

Zëdhënësja Uka ka bërë të ditur se kërkesa në fjalë është parashtruar të premten, më 17 shtator.

Në gusht të këtij viti, Gjykata e Apelit ka njoftuar përmes një komunikate për media se deputetit Ivan Todosijeviq i është vërtetuar dënimi me dy vite burgim, për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Apeli ka vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është i qartë dhe i kuptueshëm, e se në arsyetim janë dhënë arsye të qarta për faktet vendimtare dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështje juridike, për të cilat arsye edhe kjo gjykatë i aprovon si të drejta dhe ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, më 24 gusht “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se deklaratat fyese për masakrën e Reçakut të deputetit aktual të Listës Serbe dhe ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL) Ivan Teodosjeviq, do t’i kushtojnë atij me humbjen e mandatit të deputetit.

Todosejviq ishte dënuar nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ai ka qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga ajo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

Share.