Mjeku Kaveh Alizadeh nga Kolegji Mjekësor i Nju Jorkut, po merr pjesë në Kongresin e Parë Klinik, i cili po mbahet në Prishtinë. Ai vjen për herë të parë në Kosovë për të prezantuar punën që po bëhet në ShBA në shërbimet kirurgjike. Në kongresin ku po marrin pjesë më shumë se 800 pjesëmarrës, ai ka prezantuar për rolin e teknikave të kirurgjisë plastike, duke treguar procesin e transplantit të fytyrës.
Ai thotë se ky kongres ka rëndësi të madhe në shkëmbimin e përvojave të kirurgëve në Kosovë dhe jashtë vendit.
“Jam shumë i nderuar dhe i lumtur që jam këtu në Kongresin e parë të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës. Pata shansin dhe mundësinë të takoj kolegë të të njëjtit mendim, dhe jam shumë i impresionuar me cilësinë e kirurgëve dhe me atmosferën shoqërore që ata kanë, për të qenë në gjendje të sjellin vërtet diçka të veçantë në nivelin më të lartë. Dhe kjo ka qenë vërtet një nga mënyrat tona për të ditur se çfarë po ndodh këtu në Kosovë. Për të ndarë disa nga idetë, lidhur me atë që ne po bëjmë në Shtetet e Bashkuara, dhe për të krijuar një bashkëpunim dhe komunikim së bashku, duke ecur përpara”, thotë ai.
Ai thotë se është për herë të parë në Kosovë dhe se po kalon kohë të mirë këtu.
“Po. Është vizita ime e parë, kam qenë në zonën e Ballkanit më parë, kam vizituar vende të tjera, por kjo është vizita ime e parë në Kosovë. Ne kemi kaluar një kohë të mrekullueshme, jemi njohur me kulturën dhe festimet kosovare dhe mezi pres të vij prapë këtu”, shton ai
Ai ka prezantuar në sesionin e parë të ditës së dytë të këtij kongresi, duke ndarë me pjesëmarrësit metodat dhe teknikat e kirurgjisë plastike.
“Sot patëm dy prezantime. Njëra kishte të bëjë me rolin e teknikave të kirurgjisë plastike në Shëndetin global, duke e shikuar atë nga një perspektivë e Shëndetit global. Dhe tema e dytë kishte të bënte me përparimet e fundit në fushën e kirurgjisë plastike dhe rindërtuese, nga qelizat burimore deri në transplantin përfundimtar”, tregon Alizadeh.
Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Agim Berisha i cili është kirurg plastik theksoi se në Kosovë ende mungon Qendra për Trajtimin e Djegieve.
“Të bëjmë të pamundurën që të krijojmë departamente të veçanta të kirurgjisë plastike si 21 vite më vonë ndihen traumat në Kosovë. Mungon edhe Qendra për Djegie këtu tek ne. E falënderoj doktorin për prezantimin dhe bashkëpunimin”, ka deklaruar ai.
Kongresi i Parë Klinik është organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës dhe Odës së Mjekëve të Kosovës. Në panele të ndryshme po ligjërojnë kirurgë ndërkombëtare dhe te trevave shqiptare. Kongresi ka filluar të enjten dhe përfundon të dielën. /TV Malisheva