Mbi 40 biznese të vogla që ushtrojnë veprimtari të ndryshme zejtarie në lagjen e Muhaxherëve, saktësisht në rrugën “Adrian Krasniqi” në Prishtinë nga 3 tetori do t’iu vihet dryni për një periudhë. Deri tek mbyllja e përkohshme e tyre ka ardhur pas një vendimi që Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ka marr për renovimi të këtyre objekteve afariste që janë nën pronësi të saj. Sipas NPB-së këto punime që do nisin javën e ardhshme pritet të përfundojnë në afat prej 60 ditësh.

Por zejtarët që veprojnë në këtë pjesë të kryeqytetit e kundërshtojnë mbylljen e lokaleve të tyre pa ofruar ndonjë zgjidhje se ku do e vazhdojnë veprimtarin e tyre përgjatë kohës së renovimeve dhe pa e parë projektin. Madje ata kërkojnë që punimet të shtyhen deri në pranverë.

Ndërsa, nga Ndërmarrja Publike Banesore për KosovaPress kanë bërë të ditur se projekti për renovimin e lokaleve në rrugën “Adrian Krasniqi” synon vetëm krijimin e kushteve për të mira të punës, ndërsa ka siguruar zejtarët e asaj ane që pas të përfundojnë punimet objektet do jenë në shfrytëzim të qiramarrëse aktual.

Ndër të tjera përmes një shkrese me shkrim thuhet se zejtarët gjatë kësaj kohe janë liruar nga qeraja.

“Sa i përket projektit të renovimit të lokaleve në rr. Adrian Krasniqi, ju njoftojmë që ky projekt do të filloj implementimin javën e ardhshme. Punimet që do të kryhen përgjatë procesit të renovimit do të jenë 60 ditë, në bazë të kontratës të arritur mes NPB-së dhe Operatorit Ekonomik. Përgjatë periudhës së renovimit, qiramarrësit e lokaleve aty nuk do të faturohen nga NPB. Renovimi i këtyre lokaleve është bërë me të vetmin qëllim, mundësimin e kushteve më të mira për ushtrimin e veprimtarive të ndryshme në to. Ne gjithashtu ju njoftojmë që lokalet pas procesit të renovimit do të jenë në shfrytëzim nga të njëjtit qiramarrës aktual, për të ushtruar veprimtaritë e tyre”, thuhet në përgjigjien e NPB-së për KosovaPress.

Përkundër kësaj, pronarët e këtyre bizneseve thonë se ata nuk kanë ndonjë vendim zyrtar se kur do përfundojnë këto punime për renovim dhe se si do të duken lokalet e tyre pas këtij procesi.

Neshet Nushi i cili është pronar i pastrimit kimik “Etlieni” thotë se ka 47 vite që vepron me këtë biznes në këtë pjesë të kryeqytetit dhe ndonëse është për renovim të këtyre objekteve, kërkon të di më shumë rreth këtij projekti.

Nushi thotë se javën që shkoi iu është dhënë një afat deri më 3 tetor që t’i lirojnë lokale pa asnjë arsyetim tjetër.

Ai thotë se brenda këtij afati të shkurtër do të ketë të vështirë t’i zhvendos edhe pajisjet e punës së tij pasi edhe janë të rënda, por edhe nuk ka gjetur zgjidhje se ku do i vendos ato.

Nushi: Duam afate se kur do përfundojmë punimet

“Ne kërkojmë vendim prej tyre se kur do të filloj dhe kur do të përfundojë. Ne marrim vesh se këtu ka planet komplet tjera, zgjerim të rrugës, zvogëlimin e lokaleve, ato (lokalet) do të jenë më të vogla, të paktën me qenë kontratë. Ishim për bisedë në Ndërmarrje Publike Banesore na kanë thënë ‘lironi lokalet na nuk iu faturojmë për muajit e ardhshëm qerat e në maksimum brenda 2 muaj do përfundojmë’, e kjo nuk ka shanse[…]Ne kërkojmë siguri, mbështetje ose të na sigurojnë lokalet diku tjetër t’i spostojmë makinat 2 tonë e ca”, theksoi ai.

Për një kohë të gjatë si rrobaqepës veprimtarinë e tij në rrugën “Adrian Krasniqi” e ushtron edhe Xhevdet Arifi i cili thotë se mbyllja e lokalit do t’i dëmtojë shumë ata por edhe personat që kanë të punësuar.

Ai madje kërkon që këto punime për renovim të shtyhen deri në pranverë.

Arifi: Ne po dëmtohemi shumë

“Nuk po di njeri kujt t’i besoj, nuk ka kurrfarë vendimi me të tregu, me thënë që ky vendim nga kjo datë deri në këtë datë do të kryhet kjo punë, por vetëm gojarisht[…]Dëmton si jo këtu më së paku janë 50 dyqane, 50 familje ne këtu jemi zanatlinj[…] Me shtyrë deri në pranverë me mujtë por nuk na kanë lejuar deri më 03.10”, theksoi ai.

Hallin se si do të mbijetojnë gjatë kësaj kohe derisa biznesi i tij është jashtë funksionit e ka edhe Fluturim Gashi i cili merret me servisimin e pajisjeve elektro-shtëpiake.

Derisa shpreh dyshimet për afatin e dhënë për përfundimin e punimeve, Gashi thotë përveçse janë liruar nga pagesa e qeras, Ndërmarrja Publike Banesore nuk ka paraparë ndonjë skemë tjetër mbështetëse për këto biznese.

Gashi: Nuk e di si do të mbijetojmë pasi të na mbyllen lokalet

“Na ka ardhur koha shumë shpejt për tu larguar prej lokaleve tona që i shfrytëzojmë dhe punojmë dhe e kemi të pamundur për të bërë një zgjidhje më afatgjate për të punuar. Shqetësimi jonë është se nëse fillojnë punimet si është e mundur të kryhen brenda afatit kohor që na është premtuar përbrenda 60 ditësh dhe halli jonë më i madh është si do t’ia dalim me familjet tona që ne merremi me këtë veprimtari. Tani është pragu i stinës së dimrit dhe nuk e dimë se si do vazhdojnë punimet a na premtohet se do t’i marrim prapë lokalet tona[…]Si do t’ia bëjmë hallit ne, si do të mbijetojmë, a do të kemi ndonjë skemë sociale që do mund të gjejmë një zgjidhje afatshkurtre apo afatgjate nga shteti”, theksoi ai.

Ndërsa, vetëm 1 muaji pasi e hapi biznesin e tij Ahmeti Spahiu po detyrohet t’ia vë drynin agjencionit “Swis Austria”.

Ai thotë se ka investuar shumë në këtë lokal dhe se tani iu ka ardhur njoftimi që nga data 3 e muajit të ardhshëm ta lirojnë objektin për shkak të rinovimit që NPB ka paraparë.

Spahiu thotë se këto biznese që veprojnë në këtë pjesë janë buzë shuarjes.

Spahiu: Duam afate se kur do përfundojë projekti

“Më është thënë se është dal një tender por ende nuk kemi konfirmim zyrtar, dhe pikërisht pas një muaji mua më vjen njoftimi përfundimtar që më datën 03.10.2021 duhet të lirohet lokali, një afat faktikisht tepër i shkurtër që nuk lë afatizim për renovim. Kam investuar brenda këtij lokali, e kam rinovuar lokalen dhe e kam përgatitur për biznesin tim[…]Kemi vetëm fjalë, nuk kemi të shkruar asgjë. Si dëshmi me shkrim nuk na është dhënë asgjë por vetëm thuhet se afati i kryerjes së punëve është 60 ditë[…]Vetëm na është thënë se nuk do paguhen qeraja dhe asnjë kompensim tjetër nuk kemi as për punëtorët dhe asgjë tjetër. Ata thirren në emër të kontratës se gjoja se kanë të drejtë të ndërhyjnë në objekte për renovime, por format e kompensimit nga ta[…]kemi kërkuar që koha nuk është e përshtatshme është sezon dimërore dhe mundësia për ekzekutimin e punëve është e rëndë, sepse sipas kontratës që ata e kanë paraqitur thuhet se këtu do ndërhyhet në kulme do bëhet izolimi i objekteve do bëhet shtrimi i pllakave, nyjeve sanitare, drenazhimi”, theksoi ai. /TV Malisheva

Share.