Oda Amerikane doli me një qëndrim lidhur me ndalimin e punës së bizneseve të dielave nga ana e komunave.
Sipas saj, sektori privat është kyç për përshpejtimin e rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe luftimin e varfërisë, megjithatë politikat e institucioneve qeverisëse të nivelit qendror dhe komunal duhet të përkrahin dhe inkurajojnë investimet e ndërmarrjeve private, ashtu që ato të mund të luajnë rolin e tyre të duhur në përmirësimin e situatës socio-ekonomike.
Oda thotë se sipas dispozitave kushtetuese, ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Kosovës.
“Në këtë aspekt, iniciativat dhe vendimet e Qeverisë dhe komunave duhet të jenë në përputhje me dispozitat e sipërcekura dhe assesi nuk duhet të jenë pengesë për fuqizimin e sektorit privat”, thuhet në komunikatë.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpre h shqetësimin e saj lidhur me vendimet e disa Kuvendeve Komunale anembanë Kosovës për ndalimin e punës së bizneseve ditën e diel, gjë që do të kufizojë aktivitetet ekonomike, e rrjedhimisht do të ndikojë edhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike në përgjithësi.
Oda Amerikane beson se kufizimi i punës së bizneseve, do të ketë implikime në thellimin e mëtejmë të nivelit të papunësisë në vend, në kundërshtim me përpjekjet e gjithmbarshme për fuqizim të sektorit privat, krijim të vendeve të reja të punës dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.
“Duke u ndërlidhur me arsyetimet e disa autoriteteve lokale, Oda Amerikane rikujton se marrëdhëniet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve, përfshirë këtu edhe orarin e punës së të punësuarve, pushimin javor, punën pas orarit, gjatë ditëve të fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare, janë të rregulluara me Ligjin e Punës, ndërsa autoritetet shtetërore duh et të sigurojnë zbatimin e drejtë të këtyre dispozitave përkatëse nga ana e punëdhënësve”, thuhet në komunikatë.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane thërret komunat që tashmë kanë marrë vendime të tilla të rishikojnë ato, si dhe të marrin në konsideratë edhe shqetësimet dhe rekomandimet e sektorit privat para marrjes së vendimeve të tilla që vënë kufizime në punën e këtyre të fundit.