Studuesi i njohur, Ag Apolloni për mes rrjetit social facebook është marrë me debatin e filluar nga Akademik Rexhep Qosja dhe pjesa tjetër sidomos ajo e një grupi njerëz të mediave
Apolloni shton: “Ajo çka është për shqetësim ka të bëjë me diskursin e reaguesve të shumtë, të cilët, siç i pashë me vonesë (falë disa sugjeruesve), kanë ngritur tonin për ta zhvlerësuar akademikun “armik”. Etiketat dhe hipotezat janë nga më të ndryshmet: tradhtar, lavdërues regjimesh, armik i Rugovës dhe i Kadaresë, përçarës i kombit, servil i Albinit, pseudoshkrimtar etj”
Ja postimi i plotë:
Këto ditë u çua pluhur për një deklaratë të akademikut Qosja, lidhur me portalin Express dhe televizionin T7, qëndrimin e të cilëve ai e sheh si shovinizëm ndaj Shqipërisë. Natyrisht, unë nuk e di se nga cilat shkrime dhe emisione niset profesori për të arritur te një konstatim i tillë, por qëndrimi i tij, i vërtetë, ose tendencioz, është personal, jo institucional. Pavarësisht nëse pajtohemi, ose jo, reagimi i kryeredaktorit të portalit dhe televizionit të atakuar është i natyrshëm dhe i kuptueshëm, derisa mbron interesin e vet.
Ajo çka është për shqetësim ka të bëjë me diskursin e reaguesve të shumtë, të cilët, siç i pashë me vonesë (falë disa sugjeruesve), kanë ngritur tonin për ta zhvlerësuar akademikun “armik”. Etiketat dhe hipotezat janë nga më të ndryshmet: tradhtar, lavdërues regjimesh, armik i Rugovës dhe i Kadaresë, përçarës i kombit, servil i Albinit, pseudoshkrimtar etj. T’i marrim këto etiketa radhazi:
1. Qosja tradhtar? Ata që e njohin aktivitetin e tij intelektual dhe që i kanë lexuar librat “Populli i ndaluar”, “Strategjia e bashkimit kombëtar”, “Çështja shqiptare”, “Paqja e përgjakshme” etj., e dinë se intelektual patriot më të madh se Qosja nuk ka, së paku nga vitet ’80 e këndej.
2. Qosja – shërbëtor i regjimeve? Jo vetëm Qosja, që sigurisht ka shkruar ndonjë rresht të butë për regjimet e egra, po as Rugova që ka shkruar kumtesa dhe poezi për Titon, nuk janë shërbëtorë të regjimeve; aktiviteti i tyre gjatë viteve ’90 e tregon se ata u angazhuan seriozisht për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
3. Qosja, armik i Rugovës dhe i Kadaresë? Qosja e ka kritikuar Rugovën si politikan (e cili politikan nuk mund të kritikohet?), jo si studiues; e ka kritikuar edhe Kadarenë (kolegët kritikojnë njëri-tjetrin, është e natyrshme. Historia e letërsisë botërore njeh qindra shembuj të tillë. Bile Tolstoj ka dashur ta vrasë Turgenjevin).
4. Qosja, përçarës i kombit? Këtë s’e beson askush, kur bëhet fjalë për simbolin e bashkimit kombëtar, prandaj s’ia vlen të diskutohet.
5. Qosja, servil i Albinit? Më e drejtë do të ishte: Albini, dishepull i Qosjes. Unë mendoj se janë tre persona të lindur më 1936, që janë kthyer në simbol të përpjekjes për bashkim kombëtar: Adem Demaçi, Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare. Albini ndjek hapat e tyre dhe, pasi është veshur me pushtet politik, mund të bëhet edhe realizues i ëndrrës së tyre. Pra, s’bëhet fjalë për servilizëm, por për vazhdimësi të idesë. Siç thoshte VV-ja: S’ka babë, ka ide! (Sa për informacion, Qosja gjithmonë ka shkruar e ka folur mirë për Albinin, jo vetëm tash që ai është bërë kryeministër. Mund t’i gjeni shkrimet dhe intervistat kudo, po ashtu mund ta shihni edhe librin “Pushteti i korruptuar”, botuar para katër-pesë vjetësh).
6. Qosja, pseudoshkrimtar? Për veprën letrare dhe studimore të Qosjes, fjalët më të mira i kanë thënë: Ismail Kadare, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Robert Elsie dhe plot kritikë të huaj e shqiptarë!
Sa për kujtesë: kur pa që shkrimtarët e rinj gjermanë e kishin humbur mendjen duke nxitur urrejtje, Hermann Hesse shkroi esenë “O vëllezër, jo me këto tone” (një titull që perifrazonte fjalët e Beethoven-it), ku apelonte intelektualët e kohës të hiqnin dorë nga tonet kërcënuese dhe nga urrejtja: “Dashuria është më e madhe se urrejtja, mirëkuptimi më i madh se inati, paqja më fisnike se lufta”. Pra, asgjë tronditëse s’ka ndodhur! As Lufta e Tretë Botërore s’do të nisë në Prishtinë! Kështu që, ta kontrollojmë veten, t’i çmojmë intelektualët që mezi i kemi. Nëse intelektuali na duket heretik, s’domethënë që mediat duhet ta marrin rolin e inkuizicionit për ta hedhur në turrë të druve. Ne vërtet i kemi 12 vjet shtet, por nuk jemi 12 vjeçarë. Diskursi ynë duhet të tregojë pjekuri. Do të ishte mirë që toni i individëve dhe mediave të zbutej. Jo me këto tone, o vëllezër!
a. a.