Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ndaluar të dyshuarin R.H., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Lëndimi i rëndë trupor’’, i cili ka qenë në arrati që nga data 22 Korrik 2021.
Gazeta Express mëson se R.H., është Rinor Hykolli, apo siç njihet në publik, menaxheri i këngëtares Tayna. Sipas prokurorisë, Hykolli dyshohet se në bashkëkryerje me të pandehurin Sh.Xh., pas një mosmarrëveshje i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., në pjesë të ndryshme të trupit, duke ia thyer hundën.
“I dyshuari R.H., në bashkëkryerje me të pandehurin Sh.Xh. (i cili për këtë rast është ndaluar më 24 Korrik 2021) më 22 Korrik 2021, në diskotekën ‘’Stop’’ në Gjilan, për shkak të një mosmarrëveshje i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., në pjesë të ndryshme të trupit, duke ia thyer hundën, ku për shkak të lëndimeve i njëjti është detyruar të kërkonte tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
“Prokurori i rastit brenda afatit ligjor ndaj të njëjtit do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale”, thuhet tutje në njoftim.
Në gusht të këtij viti, Policia e kishte shpallur në kërkim Rinor Hykollin, për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”. Po atë ditë, Gazeta Express, përmes telefonit kishte kontaktuar me Hykollin, i cili nuk ndodhej në Kosovë, por, i njëjti kishte deklaruar se në rrahjen që ka ndodhur nuk ka qenë i përfshirë. Sipas tij, ai ishte arrestuar atë natë dhe pas intervistimit ishte liruar. /TV Malisheva