Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu është përgjigjur disa komenteve në rrjetet sociale që shprehnin shqetësimin në lidhje me paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë, apo çmimeve të tjera të konsumit.

Kreu i qeverisë ka shpjeguar se Shqipëria nuk i përmbush vetë të gjitha nevojat për t’u furnizuar me energji dhe për këtë arsye është e detyruar të blejë energji në bursa. Ai shton se në këto bursa, aktualisht çmimi i energjisë është rritur ndjeshëm dhe nuk do t’ia dijë nëse je vend i varfër apo i pasur.

Mes të tjerash, Edi Rama u shpreh se aktualisht çmimi i energjisë në vend është nën koston reale dhe se qeveria me anë të subvencioneve do të ndihmojë familjet dhe në të ardhmen.

“Ne prodhojmë kur kemi reshje të mjaftueshme dhe blejmë energji kur kemi thatësirë. Jemi të varur nga çmimet e energjisë në tregun ndërkombëtar.

Çmimet e bursës së energjisë nuk kanë lidhje për dallimet në rroga në Spanjë apo Shqipëri. Ne kemi informuar mbi influencën e çmimeve në të gjitha bursat.

Shqipëria nuk e prodhon sasinë e naftës që konsumon. Nafta jonë është e rëndë, shkon në tregun ndërkombëtar për nënprodukte për prodhim industrial, si bitumi. Si kudo në botë, nafta gjenerohet nga subjekte private të cilat e blejnë atë në tregjet ndërkombëtare.

Në prodhojmë vetëm një pjesë të energjisë që konsumojmë dhe kjo na ndihmon që ta kemi çmimin të rregulluar. Çmimi i energjisë për familjarët është nën koston reale, falë subvencionimit nga shtetit për të mbrojtur biznesin e vogël dhe familjarët. Të gjitha familjet do mundohemi t’i ndihmojmë nga kjo krizë energjetike globale që po troket”, iu përgjigj Rama komentuesve./TV Malisheva

Share.