Kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka thënë se qytetarët e kësaj komune nuk e kanë gëzuar asnjë ndihmë nga qeverisja qendrore që nga fillimi i pandemisë e deri më tash, shkruan TV Malisheva.
Kastrati ka thënë se gjatë gjithë kësaj periudhe, edhe në atë sa ka qenë Malisheva në izolim total, asnjëri nga ministrat e shëndetësisë nuk kanë vizituar këtë komunë për t’u interesuar për gjendjen me COVID-19.
“Qytetarët e Malishevës nuk e kanë gëzuar asnjë ndihmë të vogël nga qeveria qendrore nga fillimi i pandemisë dhe deri tash, kurrë nuk e kemi pasur rastin që ministri i shëndetësisë të vjen dhe ta vizitojë insititucionin shëndetësorë, të shohë se a ka mjete sterilizuese, a ka dezinfektues, a ka mjete teknike për mi evitu infeksionet dhe faktikisht t’I dalë në ndihmë qytetarëve të infektuar”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kryetari aktual i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, është infektuar në krye të detyrës dhe se që atëherë ai nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, teksa ka thënë se ai është shembull se si duhet të mbrohet qytetari dhe se këtu është dallimi mes menaxhimit të këtij virusi në nivelin qendror dhe në atë aktual.
“Komuna e Malishevës, duke përfshirë edhe kryetarin Begaj, i cili në krye të detyrës është infektuar dhe sot e asaj dite nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, ai është vetëmohues në këtë pikëpamje, domethënë shembull se si duhet të mbrohet qytetari me veten e tij, prandaj këtu kemi shumë dallime në mes të menaxhimit në nivel qendror dhe në nivel komunal”, ka thënë ai.
Komuna e Malishevës ishte një nga komunat e para në Kosovë ku u shfaqën rastet e para me COVID-19, ku për 51 ditë të plota kjo komunë ishte në izolim të plotë. /TV Malisheva
Emisioni i plotë: