Për t’u përballuar çmimet e larta nga qytetarët dhe bizneset, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka kërkuar nga Qeveria uljen e akcizës për naftën, vajrat, gazin si dhe zbritjen e TVSh-së për disa produkte bazike. Derisa për shtesat e ndara nga Qeveria për kategoritë pensionale dhe sociale, kreu i OEK-ut, ka thënë se situata e krijuar pas ngritjes së çmimeve nuk zbutet vetëm me këto kategori.
Kryetari i kësaj ode ka folur edhe për rritjen e ekonomike, i cili është shprehur se nuk pritet të ketë rritje më të madhe se 7 për qind.
“Ka buxhet dhe instrumente fiskale të cilat munden me zbut situatën, por nuk munden me kalua një problem, i cili është problem në nivel global. Jemi në një situatë ku jeta pas pandemisë do të jetë më e shtrenjtë se sa para pandemisë. Mirëpo, disa efekte mund të krijohen ndërkohë nga këto masa, janë kategoritë sociale për të cilat duhet ketë planifikime buxhetore, por nuk zgjidhet problemi vetëm me to. Nuk janë vetëm këto kategori të prekura, janë prodhuesit të cilëve iu ka rritur kostoja e prodhimit. Kështu qeveria duhet shikojë mundësinë që të ketë për shembull intervenime tek akciza për naftën, për vajrat, për gazin. Për konsumatorin, për qytetarin, por edhe për bizneset është më rëndësi që të rishikohet norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar(TVSh). Pra, të shikohet mundësia e rishikimit të listës së produkteve që kanë normë të reduktuar të TVSh-së”, thekson Rukiqi.
Rukiqi po ashtu ka thënë se rritja e pagave do të zbuste gjendjen me ngritjen e çmimeve. Për këtë ka thënë se nuk janë kundër as të rritjes së pagës minimale.
“Ne kemi përkrah, jemi pjesë e Këshillit Ekonomik Social, ne nuk kemi kundërshtuar rritjen e pagës minimale, duke u bazuar në shumë faktor tash. Normalisht që njëra prej kritereve për me u rritë paga minimale është shkalla e inflacionit në vend. Nuk është e imja me kërkuar si komunitet i biznesit, mirëpo konstatimi im në këtë rast dhe qëndrimi ynë si Odë ekonomike ka qenë që ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagës minimale nëse respektohen kriteret e caktuara. Por, në praktikë ka shumë zhvillime në treg, në të njëjtën kohë edhe shumë diskrepancë mes propozimeve që vijnë prej sindikatës, prej Qeverisë, prej parlamentit, prej asaj se a ka mundësi buxheti ta përballoj rritjen e pagës minimale… Tek e fundit kryeministri e ka propozuar, ka nevojë të mblidhet Këshilli Ekonomik Social, t’ia propozon qeverisë për vendim, dhe të miratohet. Nuk ka ndonjë kundërshtim që vjen nga ana e sektorit privat sa i përket pagës minimale”, ka thënë Rukiqi.
Përkundër se kryeministri Kurti këto ditë është shprehur se ekonomia e vendit asnjë herë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit me rreth 10%, kryetari Rukiqi thotë se kjo normë nuk do të jetë më e madhe se 7 përqind.
“Në bazë të trendit të të hyrave nuk do të jetë më e vogël se 7 përqind… Ne zakonisht kemi pasur diskrepancë mes projeksioneve të ndryshme të qeverisë, të Agjencisë së Statistikave, BQK, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pra, janë disa mekanizma që bëjnë projeksione… Ne si Odë ekonomike ndjekim trendët, trendi këtë vit ka qenë pozitiv. Konfidenca e bizneseve është më e mirë se sa e vitit 2020 e në disa raste edhe më 2019 sa i përket bizneseve eksportuese dhe të shërbimeve. Krejt këto tregojnë për një trend të rritjes ekonomike, e sa përkthehet kjo në vende pune dhe në mirëqenie kjo ka ndërlidhje edhe me shumë faktor. Pavarësisht trendit pozitiv gjatë muajve të verës, tash në fund të vitit me këto çmime të produkteve mund t’i ketë efektet e veta negative”, tha ai.
Sa i përket krizës energjetike, Rukiqi ka theksuar se qeveria duhet të ndajë buxhet për t’u përballur me këtë sfidë.
“Në Evropë tani ka një fokus tek rimëkëmbja e gjelbër, që nuk ka efekt vetëm në uljen e kostove të energjisë elektrike. Kjo ka krijuar efekt edhe në sektor të tjerë, sikur në sektorin e ndërtimit, në sektorin e pajisjeve, mirëmbajtjes e kështu me radhë. Për këtë mendoj se qeveria duhet me ndarë buxhet të veçantë, dhe të ndodhë me buxhetin e planifikuar për 2022, dhe jo më tej. Normalisht se duhet të përkrahen edhe bizneset për prodhim të energjisë nga burimet e veta. Këto janë masa që e lehtësojnë sa do pak barrën e konsumatorit dhe njëkohësisht lehtësojnë edhe koston e biznesit”, thotë ai. /TV Malisheva