Shtrenjtimi i artikujve ushqimorë ka alarmuar qytetarët e Kosovës, të cilët po ankohen se e kanë të vështirë të mbijetojnë edhe për shkak të pagave të ulëta.
Ngritja e çmimeve po vërehet gati kudo dhe qytetarët kërkojnë nga institucionet që të ndërmarrin masa. Ndërkaq, shitësit në tregun e pemëve dhe perimeve në Prishtinë thonë se kjo varet nga shteti. Megjithatë, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se këto paralajmërime janë ogurzeza dhe kanë efekte negative.
Esat Haxha, shitës në tregun e Prishtinës, tha se çmimet së fundit kanë shënuar rritje dhe se ka ankesa edhe të qytetarëve.
“Çmimet çdo ditë vetëm sa po rriten, njerëzit janë pa punë, jetojnë me ndihma sociale. Çmimet në treg kanë ndryshuar nga pak, si pemët, patatet. Nuk varet prej nesh, por nga shteti, varet nga më të mëdhenjtë që nuk dalin të kontrollojnë se çfarë po bëhet me çmimet. Askush nuk po e merr parasysh, për ne askujt nuk po i intereson. Njerëzit po ankohen. Vjen pensionisti me 70-80 euro dhe pyet tri herë sa është çmimi, pasi që ai nuk ka. Gjithkush ka qejf të blejë, por nuk ka para. Krejt janë me pensione e me ndihma sociale,” ka thënë Haxha.
Ndërkaq, Bajram Ramadani tregon vështirësitë për shitjen e produkteve pas shtrenjtimit të fundit.
“Po normal që ankohen, xhepat e thatë krejt i kemi, askush nuk ka rezerva ose rroga. Pensioni me 100 euro, me 150 euro e 200 euro rrogë, çdo send është i shtrenjtë për neve, çdo send që afrohesh e sheh se është shtrenjtë,” tha ai.
Rrahim Gërguri fajin për shtrenjtimin e çmimeve ia adreson Qeverisë së Kosovës.
“Kanë qenë edhe partitë tjera përpara në pushtet këso ngritje të çmimeve nuk ka pas kurrë. Çka u bë tash, a po iu duhen për vota që krejt na ka kthyer prapë. Po thonë është njeri i drejtë, por s’po shohim ne. Po shohim vetëm shtrenjtim, çdo mëngjes si të çohemi tjetër send nuk sheh, vetëm shtrenjtim. Kjo Qeveri tash e solli në këtë gjendje, po mendon të nxirret se kinse kemi arritur më shumë se këta të tjerët, por nuk ka shans. Edhe në treg shumë njerëz po thonë na mbytën, të ardhura kurrgjë, i rriti pensionet, por ato 100 euro janë për fushatë…, por kjo nuk është për mirë. Shpresojmë të bëhet mirë”, tha Gërguri.
Shtrenjtimin e çmimeve të produkteve ushqimore e ka hall edhe pensionisti Muharrem Beka, i cili mbijeton me 80 euro pension.
“Qysh s’ është problem me një pension 70-80 euro edhe ata punëdhënësit, e na 100 euro 90 euro e kanë ngritur 10 euro, një shishë vaj është bërë 1.60 cent, një bukë 45 centë, me çka t’i blejmë? 20 euro më shkojnë ilaçe në muaj, plus sheqeri,” ka thënë ai.
Edhe Zejnullah Ferati shprehet i shqetësuar me shtrenjtimin e fundit të çmimeve të artikujve ushqimorë.
“Çmimet i kanë rritur. Është keq. Për qytetarët është problemi më i madh. Është keq që ua ka lënë njerëzve nëpër markete sa të donë vetë t’i rrisin çmimet,” ka thënë Ferati.
Përkundër këtyre ankesave, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se paralajmërime të tilla për rritje të çmimeve janë ogurzeza dhe kanë efekte negative për qytetarët.
“Të gjitha këto paralajmërimet ogurzeza për rritje të çmimeve kanë efekte negative dhe kanë për synim prej dikujt edhe të ngjallin panik. Rritja ekonomike te ne ka ndodhur për shkak se qytetarët kanë shpresë, e mendojnë të ardhmen më të mirë se të tashmen dhe më shumë preferojnë të shpenzojnë se sa të kursejnë. Kur e mendon të ardhmen më të errët se sa të tashmen preferon të kursesh për ditë të zeza. Ndërkaq kur e mendon të ardhmen më të ndritshme se të tashmen preferon të shpenzosh sepse ka para shikueshmëri pozitive dhe nuk ka rrezik negativë tash kundërshtarët e Kosovës kanë interes që qytetarët të mos shpenzojnë po të kursejnë,” ka thënë ai.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në shumë qytete të Kosovës, një bukë kushton 50 centë.
Rritje të çmimeve kanë pësuar edhe produktet të tjera ushqimore bazë si perimet dhe produktet e qumështit. Agjencia e Statistikave e Kosovës ka bërë me dije se ngritja e çmimeve është vërejtur te produktet e mishit, qumështit dhe perimeve.
“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”, thekson ASK.
Ndryshe, paga minimale aktualisht në Kosovë është 135 euro për punonjësit nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35-vjeç./TV Malisheva