Zoran Zaev nuk do të jetë pjesë e takimit të paralajmëruar për datën 3 dhe 4 nëntor në Beograd.
Pas dorëheqjes së mbrëmshme pas humbjes në zgjedhjet lokale, Zaev dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së.
Dorëheqja e tij do të ndikojë edhe në mos pjesëmarrjen në takimin për nismën “Ballkani i Hapur”, ku pritet të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Zaev nuk do të vijë në Beograd, duke pasur parasysh situatën politike”, kanë thënë nga Zyra e Zaev për Tanjug.
Presidenti Vuçiq ka komentuar dorëheqjen e Zaev, duke thënë se ajo ka shkaktuar shumë probleme.
“Varet nga zhvillimi i situatës në Maqedoninë e Veriut, nëse do të ketë zgjedhje apo jo, nëse e njëjta shumicë do të mbetet dhe nëse qëndrimi ndaj partnerëve bullgarë do të ndryshojë“, tha ai.
Vuçiq tha se kjo ndikon në marrëdhëniet edhe me Shqipërinë, pasi ajo dhe Maqedonia Veriore janë shprehur pro nismës “Ballkani i Hapur”, e të cilën e kundërshton Kosova./TV Malisheva