Kryeministri, Edi Rama bashkë me delegacionin që e shoqëron në takimet në kuadër të “Open Balkan”, ka mbërritur dje rreth orës 18:00 në Beograd.
Gjatë mbrëmjes së mërkurë, Rama dhe Vuçiç kanë darkuar bashkë me zv.kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov.
Pjesëmarrës në këtë takim informal ka qenë dhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, edhe pse vendi i tij deri tani nuk i është bashkuar iniciativës “Open Balkan”.
Vuçiç ka publikuar një video ku duket bashkë me Ramën duke pritur kryeministrin e Malit të Zi.
“Mbrëmje e jashtëzakonshme me miqtë nga rajon, Edi Rama, Zdravko Krivokapiq dhe Nikola Dimitrov”, tha Vuçiq.
“Ana Bërnabiq dhe unë i pritëm mysafirët tanë me verë serbe të shkëlqyer, të cilët ne guxojmë që ta krahasojmë me verërat më të mira franceze. Miqësia jonë është miqësi për të ardhmen e rajonit”, shtoi presidenti serb.
Ky zhvillim le të hapur mundësinë që Mali i Zi t’i bashkohet nismës për bashkëpunimin rajonal, por pritet që vendimi zyrtar të merret nga qeveria e vendit fqinj.
Të enjten, agjenda e takimeve do të nisë rreth orës 10:30 do të ketë një takim kokë më kokë mes përfaqësuesve të Serbisë, Shqipërisë dhe RMV-së./TV Malisheva