Lideri i partisë më të madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar se sot në Kuvend do të paraqesë iniciativë për votim mosbesimi ndaj qeverisë, nëse kryeministri Zoran Zaev nuk e përmbush premtimin e tij dhe jep dorëheqje.
Mickoski u tha gazetarëve se nuk pret që Zaev të dorëzojë në Kuvend dorëheqjen e tij si kryeministër, të cilën e njoftoi pas rezultateve të dobëta të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) në zgjedhjet lokale.
I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse shumica e re parlamentare, e përbërë nga parti me pikëpamje krejtësisht të kundërta për çështjet strategjike, i votonte Qeverisë mosbesimin, por jo edhe formimin e qeverisë së re, Mickoski tha se do të shkojë “hap pas hapi”.
“Të ngjitemi fillimisht në shkallën e parë, mos të shohim datën 27. Të mbarojmë së pari këtë gjë. Ka procedura dhe ligje dhe kjo nuk varet më tej nga ne, por nga ai që duhet të respektojë ligjet dhe Kushtetutën. Mandati i jepet shumicës. Të hënën në ora 14:30 e dorëzoj iniciativën në Kuvend dhe më pas i takon kryetarit të Kuvendit të respektojë procedurat dhe afatet e parapara”, tha Mickoski.
Mickoski u bëri thirrje edhe deputetëve të partive të mbetura të koalicionit qeverisës rreth LSDM-së që të jenë pjesë e shumicës së re, e cila së bashku me VMRO-DPMNE-në, Partinë e Majtë dhe tri parti shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, Alternativa dhe Besa. Ky koalicion i ri ka 61 nga 120 deputetë.
“Dera është e hapur për këdo që mendon se Qeveria e Zaevit nuk është e mirë. Gjithsej 61 deputetë qëndruan prapa mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Ftoj të bashkohen edhe deputetët tjerë”, ka thënë lideri i VMRO-DPMNE-së.
Në zgjedhjet e fundit lokale, partia e Mickoskit mposhti Zaevin e LSDM-së, i cili dha dorëheqje si kryeministër dhe kryetar partie më 31 tetor, por tha se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm./TV Malisheva