Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja ka folur në një konferencë për media para ndeshjes së radhës kundër Anglisë, e vlefshme për kualifikimet për në Kampionatit Botëror 2022.
Italiani e ka nisur duke thënë se shkojnë në “Wembley” për të kërkuar maksimumin, por ka pranuar se humbja me Poloninë i ka ulur shumë shpresat e kuqezinjve për të vazhduar tutje.
“Ne do të shkojmë në “Wembley” për të dhënë maksimumin dhe për të marr maksimumin nga kjo ndeshje, sigurisht ky është synimi që ne e kemi në këto dy ndeshje të mbetura, të bëjmë të bëjmë paraqitje sa më të mira. Sigurisht humbja me Poloninë në shtëpi e kompromentoi ndjeshëm shpresat tona, pra shanset që ne kishim për të arritur ne paly-off në këto eliminatore. Gjithsesi ne jemi ende në garë pra matematika na e lejon dhe përderisa na e lejon matematika ne do të shpresojmë deri në fund. Na pret një ndeshje shumë e vështirë përpara siç është Anglia, një rival shumë i fortë por ne sigurisht që do të shkojmë atje për të bërë ndeshjen tonë me synimin për të bërë maksimumin”, tha fillimisht Reja.
Më tutje Reja ka folur edhe për mosftesën e dyshes Manaj-Balliu për këto dy ndeshje duke sqaruar se që të dy lojtarët kanë probleme shëndetësore dhe se nuk janë në formën më të mirë fizike.
“Për sa i përket këtyre dy lojtarëve, pra mungesave të Manajt dhe Balliut, me Manajn kam folur nuk është se ka qenë në formë shumë të mirë fizike, ka pasur disa probleme shëndetësore dhe menduam që të bënte pak pushim dhe të kishte mundësi të punonte me klubin dhe të rikuperohej. Nuk është se ka pasur shumë minuta në dispozicion te klubi dhe nuk është se ka qenë në formën e tij më të mirë dhe për këtë arsye ne vendosëm bashkarisht që ai to mos jetë në këtë grumbullim për këto dy ndeshje të fundit. Ndërsa për sa i përket Balliut edhe ai ka një problem shëndetësor, ka një problem me muskujt e barkut…kështu që kemi vendosur që të mos jetë dhe ai në këtë grumbullim.”, tha Reja.
Reja gjithashtu ka zbuluar pengun që e ka nga këto eliminatore dhe ai ka të bëjë me mungesat e mëdha të lojtarëve që i kishte për ndeshjen me Poloninë duke thënë se ne rast se nuk do të ndodhte kjo, sot do të flitej për një histori shumë më ndryshe.
“Sigurisht në çoftë se do ta mbyllim me 18 pikë këtë fushatë eliminatorësh unë do të jem shumë i kënaqur por dua ta përsëris se më vjen shumë keq sepse e kishim mundësinë në dorë për të shkuar në playoffin e botërorit, ishte një mundësi shumë e mirë…Jam i bindur se nëse ne do t’i kishim të gjithë lojtarët, të mos kishim aq shumë mungesa me Poloninë do të ishte një histori krejt tjetër. Nuk po them thjeshtë një barazim por e them pa frikë se edhe mund ta kishim fituar atë ndeshje. Ky mbetet pengu im më i madh.”, theksoi Reja.
Krejt në fund trajneri kuqezi u pyet sërish për situatën e Taulant Xhakës i cili kishte mohuar se e ka refuzuar ftesën e kombëtares dhe Reja është përgjigjur direkt duke thënë se ai po gënjen në këtë rast.
“Nuk mendoj se ai është i sinqertë në këtë rast. Mendoj se ai po gënjen apo po tallet me ne në këtë rast. Nuk e kam ftuar vetëm njëherë në fillim sepse nuk po luante me skuadrën dhe kishte probleme fizike, më pas e kam ftuar vazhdimisht dhe ai ka refuzuar vazhdimisht ftesat që ne i kemi bërë.”, tha në fund Reja.
Ndeshja ndërmjet Anglisë dhe Shqipërisë zhvillohet më 12 nëntor në “Wembley”. /TV Malisheva