Ditë më parë është bërzgjedhja e 20 garuesve të sivjetmë në Festivalin e Këngës në radio Televizionin Shqiptar.

Edicioni i 60-të i këtij festivali do të përcaktojë përfaqësuesin e Shqipërisë në “Eurovision 2022”.

Jashtë listës së pjesëmarrësve është lëngë rokeri i njohur nga Ferizaj, Mentor Haziri, i cili kishte aplikuar për t’u pranuar në festival me këngën e tij “Qëndro”.

Haziri ka akuzuar Festivalin e RTSh-së për korrupsion dhe injorim të artistëve nga Kosova, duke theksuar se evenimenti po i diskriminon këta të fundit dhe asnjë këngëtar nga Kosova nuk është pranuar sivjet.

Kundrejt këtyre deklaratave ka reaguar me një koment këngëtari i njohur nga Kosova, Alban Ramosaj, i cili jeton dhe vepron në Tiranë, duke u shprehur se nuk e sheh si të vërtetë faktin që Festivali i RTSh-së ka diskriminuar artistët nga Kosova dhe këtë e dëshmon prezenca e tij.

“Fakti që nuk je pranuar duhet të ketë arsye. Mesa di unë (nuk kam asnjë kontakt me askënd aty brenda, por me llafe dhe të dëgjuar) nuk lejohen kredite nga të huaj, për shembull kompozitor, orkestrues etj. Nuk jam i sigurt për këtë të fundit, por sidoqoftë e vetmja gjë amatoreske këtu është reagimi yt,” shkruan Albani. “Më vjen keq që po ndaj këtë anë tënden me publikun dhe po jep këtë shembull për ata ndjekës dhe fansa që ke”, ka shkruar Ramosaj në një koment në Facebook.

Një reagim të ngjashëm e ka bërë edhe fituesja e vitit të kaluar në Festivalin e RTSh-së, Anxhela Peristeri, e cila përfaqësoi Shqipërinë sivjet në Eurovision, duke u renditur e 21-ta.

Peristeri në një koment ka shkruar se reagimi i Mentorit nxit përçarje mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë dhe se Mentori ka gjetur përkrahjen nga komuniteti artistik i Shqipërisë në projektet e së kaluarës.

“Po më vjen keq vërtetë keq që po e lexoj këtë status nga ti Mentor! Kam qenë prezentë në finalen e Këngës Magjike 2017 kur ke fituar çmimin ‘Zëri më i bukur mashkullor’ dhe gjithashtu kam qenë prezentë në koncertin tënd recital në Katedralen Ortodokse në Tiranë, ku mbështetja nga artistët shqiptarë nuk të ka munguar. Të gjithë kemi pasur zhgënjime në karrierë por nuk kemi fajësuar kombe. Të këshilloj të kërkosh gabimin tek vetja fillimisht, pastaj të nxjerrësh vrerë te kombi shqiptar. Unë jam fituesja në fuqi e atij festivali siç e quan ti ‘të korruptuar’ dhe dikur nuk jam futur as në finale. Gjej gabimin ku e ke Mentor sepse asnjë juri profesionistësh nuk refuzon një këngë të bukur e sidomos me zërin tënd, pa arsye”, ka shkruar Peristeri.

Përndryshe ndër emrat më të njohur që sivjet janë pranuar në Festivali ne RTSh-së janë: Ronela Hajati, Evi Reçi, Alban Ramosaj dhe Kastro Zizo. /TV Malisheva

Share.