Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe garës së balotazhit për kryetar të Komunës së Malishevës, e ka uruar Ekrem Kastrati, pasi i ka fituar zgjedhjet për kryetar të Komunës së Malishevës.

“Në rend të parë, dua ti përgëzoj të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, për kulturën e lartë të treguar gjatë tërë procesit zgjedhor në komunën tonë, ndërsa fituesit të garës për kryetar Ekrem Kastratit, i uroj përzemërsisht fitoren dhe i dëshiroj punë të mbarë e suksese në mandatin katërvjeçar në drejtimin e Komunës së Malishevës”, thuhet mes tjerash në urimin e kryetarit Begaj, drejtuar Kastratit.“Jam i kënaqur që po e lë komunën në duar të sigurta, për ti vazhduar projektet dhe drejtimin e komunës, drejtë zhvillimit dhe për të mirën e qytetarëve. Fitorja e juaj, është mirënjohje dhe vlerësim i punës që kemi bërë deri më tani, si subjekt politik”, ka thënë Begaj në urimin e tij, me rastin e përfundimit të zgjedhjeve në Komunën e Malishevës.

Përndryshe, në zgjedhjet e këtij viti, për kryetar dhe Kuvend të Komunës në Malishevë, rezultatet të cilat pritet të certifikohen nga KQZ, janë këto: Garën për Kryetar të Komunës së Malishevës, e ka fituar, Ekrem Kastrati i Nismës Socialdemokrate, ndërsa ulëse në Kuvendin e Komunës që përbëhet nga 31 anëtarë, kanë fituar 10 ulëse, PDK 8 ulëse, LDK 6 ulëse, LVV 5 ulëse dhe AAK 2 ulëse./TV Malisheva

Share.