Dy milionë euro ose 14 përqind më pak të hyra janë realizuar nga Postës e Kosovës për vitin 2020. Derisa kjo kompani ende ka vështirësi financiare për sigurimin e pagave për punonjësit e Postës.
Kështu ka thënë U.D. kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu në një konferencë për media pas raportimit të sotëm të saj pran aksionarit, Ministrisë së Ekonomisë, për gjendjen e përgjithshme të ndërmarrjes publike Posta e Kosovës Sh.A.
Kadiu ka thënë se përveç vështirësie për ekzistimin e pagave për punëtorë, probleme kanë edhe pagesat e operatorëve ekonomik të cilët e furnizojnë këtë kompani me materiale të domosdoshme.
“Ne ballafaqohemi shumë me ekzekutimin e pagave për punëtorë. Pra, kemi probleme edhe me pagesat e operatorëve ekonomikë të cilët na furnizojnë me materiale të domosdoshme të operimit. Por, kemi edhe pamundësinë e inkasimit të shpenzimeve në shërbimin universal postar, për të cilën gjë akoma aktualisht jemi duke diskutuar me ministrinë tonë të linjës se si të gjendet zgjidhja për mbulimin e shpenzimeve të cilat nuk janë kompensuar që nga viti 2012. Për më tepër edhe operator të tjerë të cilët na kanë neve obligime financiare për shkaqe pandemie kanë pasur vështirësi t’i procedojnë pagesat”, ka thënë ai.
Ajo ka thënë po ashtu se rënia e të hyrave për 2020 ishte rreth 2 milionë euro.
“Lidhur me raportin e auditimit të jashtëm të pasqyrave financiare është diskutuar edhe për rekomandimet dhe të gjeturat e auditorit të jashtëm, të cilat iu kanë adresuar menaxhmentit për korrigjime. Përpos çështjes së pronave për të cilat ekziston një problem politik, pothuajse të gjitha të gjeturat dhe rekomandimet janë plotësuar nga menaxhmenti. Sa i përket pasqyrës financiare për vitin 2020 sikurse edhe plotë ndërmarrje të tjera, edhe Posta e Kosovës ka afaruar me një rezultat financiar minus 14 përqind. Për më tepër është diskutuar edhe për mundësitë shtesë të Postës së Kosovës dhe daljen nga kriza e tanishme financiare. Rëniet në të hyra janë diku rreth 2 milionë euro”, theksoi Kadiu.
Sa i përket afarizmit aktual të Postës ka theksuar se në tre mujorin e fundit kanë realizuar të hyra 92 përqind, derisa bëri të ditur se kanë ulur shpenzimet për 18 përqind në këtë periudhë.
“Aktualisht Posta e Kosovës për tre mujorin e fundit ka pasur 92 përqind realizim të të hyrave me një ulje të 18 përqind në shpenzime operative. Kështu që nuk është një rezultat i keq financiar nëse i kemi parasysh edhe mjetet e teknologjisë informative të vjetruara, mjetet e transportit të vjetruar pasi që kemi qenë të penalizuar në realizimin e projekteve kapitale pikërisht për shkak të pamundësisë së inkasimit të humbjeve në ofrimin e shërbimit universal postar”, theksoi ajo. /TV Malisheva