Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk do të miratohet asnjë buxhet bashkie nëse nuk do të ketë një fond të caktuar për menaxhimin e mbetjeve.
Në fjalën e tij në takimin e organizuar në Durrës me kryetarët e bashkive dhe prefektët e qyteteve bregdetare për pastrimin e territorit, Rama tha se “jemi në një udhëkryq sa i takon cilësisë së mjedisit për qytetarët, komunitetet dhe turizmin”.
“Është e qartë që barra e kësaj peshe të madhe përgjegjësie nuk mundet të mbetet e gjitha në supet e bashkive sepse nuk janë vetëm bashkitë, që mund të përballojnë një peshë që akumulohet nga papërgjegjshmëria e shumëkujt që ndot mjedisin duke hedhur rrugëve plehra dhe nga indiferenca e institucioneve të tjera, të cilat nuk mund të qëndrojnë në pozitat tradicionale të spektatorit në raport me këtë sfidë qytetare, që është një sfidë civilizimi në fund të fundit dhe këtu kam parasysh në radhë të parë Policinë e Shtetit dhe gjithë institucionet e tjera”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se “është shumë e qartë që pastrimi ka një kosto që është më e lartë përgjithësisht se çfarë bashkitë i faturojnë qytetarëve apo biznesit në formën e tarifave të pastrimit”.
“E them këtë për të gjithë ata që në vend ta fillojnë nga vetja, të mos hedhin plehrat kuturu e fillojnë me fjalinë ne paguajmë taksa, bashkitë nuk përgjigjen”, vuri në dukje ai.
Rama nënvizoi se tarifat e pastrimit të familjarëve dhe bizneseve janë përgjithësisht nën kostot e pastrimit për bashkitë.
“Kjo bën që nga njëra anë bashkitë të përballojnë me fonde ekstra një pjesë të kostos, nga ana tjetër të kemi territore të tëra të papastruara dhe pastaj edhe qeveria të jetë e detyruar të rishikojë të gjithë skemën e funksionimit të këtij procesi. Në këtë proces gjobat janë të domosdoshme, por atyre që në vend që ta fillojnë nga vetja se sa shumë e kanë ndotur këta vetë duke hedhur plehrat e fillojnë me formulën vini gjoba, mblidhni gjoba ose s’ka kosha, vini kosha. Plehrat në rrugët kombëtare nuk kanë lidhje me koshat se nuk ka kosha nëpër rrugët kombëtare të asnjë vendi dhe nuk ka plehra në rrugët kombëtare të vendeve të cilat i marrim si pikë referimi”, – nënvizoi Rama.
Plehrat në rrugët kombëtare, vijoi Rama, janë akte papërgjegjshmërie të mijëra e mijëra njerëzve që hapin dritaren e makinës dhe i hedhin.
Kryeministri Rama vuri në dukje se duhet një qasje më agresive në këtë fushë. “Për këtë arsye kemi thënë se asnjë bashkie nuk do i miratojmë buxhetin në nivelin e prefekturës nëse buxheti nuk do përmbajë fondin e pastrimit”, tha Rama.
Më tej Rama u shpreh se “aspekti tjetër ka të bëjë me mbështetjen që do t’i japim ne bashkive, sidomos atyre, të cilat për shkak të pozicionit të tyre gjeografik nga Shkodra deri në Sarandë, kanë një ngarkesë eksponenciale në periudhën e sezonit turistik”.
“Vitin e ardhshëm do të fillojmë një proces me 4 zonat që janë më kritike për pastrimin dhe pastaj me gjithë zonat bregdetare për t’u ardhur në ndihmë dhe për të krijuar një aleancë me to që është përtej mundësive të një bashkie”, tha Rama.
Por, vijoi Rama, ka një tjetër arsye për të reflektuar sepse kemi një model që e bën më shqetësuese situatën, që tregon që përtej të gjitha shtrëngimeve financiare, lidershipi i bashkisë dhe organizimi luan një rol që mund të arrijë deri në pikën që mund t’i kapërcejë këto probleme.
Duke folur për bashkinë e Lezhës, Rama tha se “kemi pasqyrë ndryshe nga pjesa tjetër dhe as nuk ka ndonjë taksë marramendëse për pastrimin apo mbështetje speciale nga qeveria apo forca të tjera. Por ka një skemë organizimi dhe menaxhimi të mbetjeve përmes së cilës arrin të garantojë mjedis ndoshta jo 100 % të shkëlqyer nga pikëpamja e pastërtisë, është në kuotë të lartë pozitiviteti në raport me pastërtinë”, – tha Rama.
Ai shtoi se të gjithë kryetarët e bashkive bregdetare që janë përballë një sfide të madhe dhe jo të zakonshme në raport me të tjerët, pasi përballin një fluks shumë të rritur popullsie gjatë sezonit ia vlen që ta shikojnë dhe konsultojnë modelin që ka ngritur Lezha./Atsh
/TV Malisheva