Aktori i njohur Alec Baldwin pretendon se nuk e ka tërhequr këmbëzën e armës me të cilën u vra kameramani gjatë xhirimeve të “Rust”, sipas pjesëve të intervistës që do të transmetohet së shpejti.
Është intervista e parë e Baldwin për ngjarjen fatale që ndodhi më 21 tetor në New Mexico.
“Shikoni, këmbëza nuk u tërhoq. Unë nuk e arrita,” tha Baldwin për ABC, sipas videove të bisedës të publikuar të mërkurën.
“Pra nuk e keni tërhequr kurrë këmbëzën?” – pyeti gazetarin Baldwin në një intervistë që do të transmetohet të enjten.
“Jo, jo, jo. Unë kurrë nuk do t’i drejtoja armën dikujt dhe do të tërhiqja këmbëzën. Kurrë!”, u përgjigj Baldwin.
Ai shtoi se nuk e kishte të qartë se si u shfaq plumbi i vërtetë në xhirimet e vestern në një fermë pranë Santa Fe.
Halyna Hutchins u vra në xhirimet e filmit dhe regjisori Joel Souza u plagos pasi, sipas dëshmitarëve, Baldwin qëlloi nga arma rekuizitë.
Pyetja kryesore mbetet se si “plumbi i vërtetë” përfundoi në pistoletë në vend të municionit manovrues. Deri më tani ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë.
Dy anëtarë të ekipit kanë ngritur padi civile lidhur me aksidentin, ndërsa producenti dhe disa persona të tjerë akuzohen për pakujdesi.
Mbikëqyrësja Mamie Mitchell në padinë kundër Baldwin thekson se sipas skenarit të filmit, atij nuk iu kërkua të xhironte në skenën e diskutueshme.
Mitchell, i cili thirri policinë pas ngjarjes tragjike, pretendon në padi se Baldwin veproi në mënyrë të pamatur duke qëlluar me armë në drejtim të Hutchins dhe se ai shpërfilli protokollet e tjera të sigurisë kur bëhej fjalë për municione dhe armë në set.
Ajo beson se vetë Baldwin duhet të kishte kontrolluar nëse kishte municion në armë dhe se nuk duhej ta merrte të mirëqenë deklaratën e ndihmësit të drejtorit se arma ishte e sigurt.