Gjatë javës së kaluar Komiteti Olimpik i Kosovës ka shpallur “Laureatët e viti 2019”, e ku dy më të mirët u shpallën pa dyshim xhudistët nga Peja, Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova.
Vitin që lamë pas, të dy xhudistët sollën të tjera medalje për Kosovën, nga arena ndërkombëtare, duke ngritur flamurin e Kosovës në podium me shtetet e tjera të mëdha botërore.
Në një intervistë për KosovaPress, Majlinda Kelmendi foli rreth këtij çmimi si dhe tregoi synimet për të ardhmen e saj.
Ajo u shpreh se pavarësisht se ka fituar shumë çmime, prapë se prap ndjenja e gëzimit është e njëjtë për të.
Kelmendi: Çdo çmim më bën të ndjehem krenare
“Gjatë karrierës sime kam fituar shumë trofe, shumë medalje, shumë mirënjohje, por pavarësisht asaj prapë kur nderohesh me çmime të bëjnë të ndihesh mirë për ve t faktin se ndoshta punoj shumë dhe kur më shpërblehet puna, po mendoj se jo veç unë por secili njeri, gëzohet”, u shpreh fillimisht Kelmendi.
Sa i përket përgatitjeve për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, mbretëresha e sportit në Kosovë, u shpreh se janë duke shkuar mirë dhe pret qysh në muajin e ardhshëm të fillon me garën e parë për këtë vit.
Kelmendi: Po përgatitemi maksimalisht
“Përgatitjet në përgjithësi janë duke shkuar shumë mirë, në vitin 2020 ende nuk e kam pasur asnjë garë, po besoj që në muajin e ardhshëm në Mars, të filloj me gara. Por fillimisht caku kryesor janë Lojërat Olimpike dhe atje shpresoj për më të mirën”, deklaroi ajo.
Për fund, megjithëse Majlinda njihet si sportiste që nuk jep shumë premtime, ajo potencoi se do të punojë shumë që t’i bëjë edhe më shumë krenarë tifozët dhe qytetarët e Kosovës.
Kelmendi: Do të jap maksimumin t’ju bëj krenarë
“Nuk jam tip që jap shumë premtime. Unë thjesht punoj dhe me sukseset e mija i bëj të ndihen mirë, i bëj të mburrën me mua edhe me krejt Kosovën kështu që thjesht po ju premtoj që do të punoj, do të mundohem të jap maksimumin edhe mos t’i zhgënjej dhe t’i bëj të ndihen krenarë me mua”, përfundoi Kelmendi.
Ndërkohë, sportisti më i mirë i shpallur për vitin 2019, Akil Gjakova për KosovaPress tha se ky çmim i jep motiv atij për të punuar edhe më shumë në të ardhmen e tij, për të arritur suksese të tjera në arenën ndërkombëtare dhe pse jo edhe në Lojëra Olimpike.
Gjakova: Çmimet si ky më motivojnë për të ardhmen
“Sigurisht është një ndjejnë e veçantë me u shpallë sportisti më i mirë i Kosovës, në një konkurrencë aq të madhe. Jam shum ë i gëzuar dhe ndjehem shumë mirë për faktin se jam njëri ndër sportistët më të mirë në Kosovë”, tha fillimisht ai.
Tutje, Gjakova shprehet se synimi i tij kryesor fillimisht është të rikthehet në gara, pas lëndimit në krahë që kishte pësuar vitin e kaluar.
Gjakova: Synoj të rikthehem sa më shpejt në gara
“Synimi kryesor më së pari është të kthehem në gara. Prej muajit prill filloj në Grand Prix në Anatalia. Është gara e parë pas lëndimit do të jetë pak më vështirë për mua por po mendoj që do të shkojë gjithçka mirë. Synimet kryesore për këtë vit janë kampionati Evropian dhe dihet që janë lojërat Olimmpike Tokio 2020…Gjendja është shumë mirë, rehabilitimi ka shkuar më shpejtë se që duhet, prej javës tjetër do të fillojmë traing-kampin në Çeki, do të vazhdojmë më ngadalë por shpresoj që gjithçka do të shkojë mirë”, potencoi ai.
Sa i përket mundësive që Gjakova të stoliset me medalje në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, vet xhudisti deklaroi se për këtë vetëm zoti e di, megjithatë duke parë formën e mirë tij mund të shpresojmë që nga Tokio të kthehemi me medalje.
Gjakova: Shpresoj në medalje
“Për atë veç Zoti e di. Shpresoj që me qenë në ditën time, në formën më të mirë dhe do ta shohim”, përfundoi shkurtimisht Gjakova.
Kujtojmë që pikërisht nga sporti i xhudos, Kosova vazhdon të ketë të vetmen medalje të artë fituar në Lojëra Olimpike, atëherë kur në vitin 2016, në Rio, Majlinda Kelmendi bëri historinë duke u stolisur me një medalje të tillë./TV Malisheva/