Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë u pritën në një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit nga drejtori i Zyrës për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore, Martin McDowell.

Duke informuar për këtë takim, Balla tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Departamentit të Shtetit mbështesin fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, raporton atsh.

Balla falënderoi McDowell për përpjekjet e tyre diplomatike me vendet anëtare të BE-së për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë sa më parë.

“Falë mbështetjes së pazëvendësueshme të ShBA-së dhe BE-së, Shqipëria ka miratuar dhe po zbaton një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë, e cila po garanton çdo ditë e më shumë një sistem drejtësie efikas në shërbim të barazisë para ligjit, në krijimin e klimës dhe garancive për investimet e huaja dhe ndëshkimit të korrupsionit dhe eliminimin e pandëshkueshmërisë”, theksoi Balla.

Balla theksoi se Presidenti Biden e ka shpallur luftën kundër korrupsionit si një çështje themelore të interesave të sigurisë kombëtare.

“Administrata Biden-Harris shpalli pak ditë më parë, të parën strategji të ShBA-së në luftën kundër korrupsionit, e cila përfshin marrjen e masave shtesë dhe të menjëhershme për të reduktuar aftësinë e aktorëve të korruptuar të përdorin sistemet financiare të SHBA dhe ato ndërkombëtare, të fshehin asetet dhe pastrojnë të ardhurat nga aktet korruptive”, tha ai.

Sipas Ballës, “Shqipëria ka dëshmuar gjithmonë, si një partner i besueshëm dhe anëtar i NATO-s, të jetë përkrah SHBA dhe kjo u rikonfirmua edhe një herë në rastin e mikpritjes dhe strehimit në Shqipëri të afganëve përgjatë këtij viti, jeta e të cilëve rrezikohej nga rikthimi i regjimit të talebanëve”./TV Malisheva

Share.