Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po qëndron për viztië në Tiranë, ku edhe u takua me Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Basha pas takimit me Escobar ka folur për luftën kundër korrupsionit për të cilën tha se lufta ndaj saj është e trajtuar si një interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe si një interes Kombëtar i Shqipërisë. Në këtë adresim për medie Basha u pyet edhe lidhur me atë se a solli Escobar prova kundër ish-kryeministrit Sali Berisha për shpalljen “non grata” në ShBA.

Në takimin me Escobar është diskutuar lidhur me çështjet e aktualitetit politik shqiptarë dhe për rajonin. Basha thotë ta ketë bërë të qartë edhe qëndrimin e Partisë Demokratike për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës dhe për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e reformave ku kyç mbetet një drejtësi e pavarur i cili nuk i mbron por i ndëshkon politikanët e korruptuar.

“Me zotin Escobar, diskutuam për të gjitha çështjet e aktualitetit politik shqiptarë, natyrisht edhe për situatën në rajon, me theks të veçantë, sigurisht për ato çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe në veçanti me Kosovën. Ku ia bëra të qartë zotit Escobar, qëndrimin e Partisë Demokratike për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës. Në përputhje me përkushtimet e ndërmarra sipas paketës Ahtisari që çojnë në pavarësinë e Kosovës dhe në përputhje me angazhimet që të gjithë shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë në raport me integritetin territorial të saj. Jam i kënaqur t’iu raportoj se në këtë qëndrim që paraqita kam marrë mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të zotit Escobar. Diskutuam padiskutim edhe për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e reformave ku kyç mbetet një drejtësi e pavarur që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar”, u shpreh Basha.

I pyetur për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha në ShBA, Basha tha se temë diskutimi ka qenë edhe çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata” por që për vendimet e Departamentit të Shtetit do të flas vet Escobar.

“Padiskutim që çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit ndërsa sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga Escobar qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit”, tha Basha.

Basha pasi mori ftesën thotë se po planifikon të bëjë një udhëtim në Washington, për siç tha ai që t’i shtyjë përpara jo vetëm objektivat politike të Partisë Demokratike por edhe dalja nga kjo gjendje pezullie e dëshpërimi. /TV Malisheva

Share.