Në Komunën e Malishevës gjatë këtij muaji inspektorët komunal do të bëjnë inspektimin e vazhdueshëm të marketeve ushqimore dhe sektorit të gastronomisë, raporton TV Malisheva.
Qëllimi i kësaj iniciative të bërë nga Drejtoria e Inspektoratit të kësaj komune është për sigurinë e ushqimit në këto sektore, në prag të festave të fund vitit dhe ardhjes së mërgimtarëve, ku si rezultat rritet edhe konsumi.
“Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Malishevës, Dibran Kastrati, ka bërë të ditur se inspektorët janë duke bërë inspektime në të gjitha marketet ushqimore, si dhe në sektorin e gastronomisë, me qëllim të kontrollit për siguri të produkteve ushqimore, si kontrolli i skadimit të afatit të produkteve dhe mbajtja e tyre në vende të sigurta.
“Inspektimi do të jetë i vazhdueshëm, pasi festat e fund vitit dhe ardhja e mërgimtarëve, e rritë e konsumin, por pavarësisht inspektimit, kërkojmë edhe nga ana e konsumatorëve që të bashkëpunojnë me inspektoratin, dhe nëse haset në ndonjë produkt të dyshimtë për konsum, të njoftojnë inspektorët, pasi kjo na ndihmon të kemi siguri në produktet që i konsumojmë”, ka thënë drejtori Kastrati, duke kërkuar bashkëpunimin me konsumatorët.
Ndër të tjerash Kastrati u shpreh se do të angazhohen maksimalisht që në Malishevë të ketë produkte ushqimore të sigurta në treg.