Ministri kroat i Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm Tomislav Qoriq deklaroi se qeset plastike me trashësi 15 deri në 50 mikron nuk do të përdoren më nga 1 janari 2022 dhe llojet e tjera të qeseve plastike do të tërhiqen gradualisht nga përdorimi në periudhën e ardhshme.

Kategoria e përmendur e qeseve që hidhen jashtë përdorimit përfshin shumicën e atyre që përdoren në treg çdo ditë, transmeton Hina.

Qoriq tha se kjo ishte një masë e paraparë me Ligjin për menaxhimin e mbeturinave, zbatimi i të cilit ishte shtyrë për t’iu mundësuar përshtatjes së prodhuesve dhe distributorëve.

Ai theksoi se po promovohet përdorimi i qeseve të ripërdorshme, përkatësisht qeseve prej letre.

“Në periudhën e ardhshme, me kalimin e kohës, dalëngadalë do të tërhiqen edhe llojet e tjera të qeseve. Për momentin ende nuk është kështu, ky është hapi i parë”, tha ai.

I pyetur se kur do të dalin jashtë përdorimit qeset e tjera plastike, ai tha se qëllimi është që së pari të jetësohet kjo masë dhe se më pas do të shkojnë drejt një zgjidhjeje për qeset plastike ultra të lehta dhe të ripërdorshme./TV Malisheva

Share.