Eksperti i sigurisë në Shqipëri, Ilir Kulla deklaroi se Shqipëria nuk është në rrezik nga ndikimi rus, pasi siç ka thënë ai kjo e fundit nuk ka asnjë lidhje kulturore me Rusinë, ndërkaq shqiptarët kanë një sfond etno-kulturor tërësisht të ndryshëm nga rusët. Sipas tij, “Rusia nuk ka ndikim fare në kulturën dhe mentalitetin tonë”.

Kulla deklaroi në një intervistë për portalin analitik “The Geopost”, se Shqipëria është vendi më i pamundshëm që Rusët të ndjehen si në shtëpinë e tyre.

“Nuk kemi ksenofobi, thjesht mospërputhshmëri”, ka thënë ai teksa ka shtuar se ndikimi rus në Ballkan është jocilësor dhe josasior.

Ndërsa sa i përket procesit të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian Kulla vlerëson se “Perëndimi gabon kur i lë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në pritje për shkak të lojës së dyfishtë të Serbisë.”

Kulla ka kritikuar strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian, proces i cili sipas tij ka mbetur peng i qasjes së BE në raport me Serbinë.

“Çështja është që Evropa ka ndaluar gati tërësisht zgjerimin në Ballkan dhe vendet e Ballkanit kanë ngelur pa perspektivë. Ka një lloj dëshire të Perëndimit të mos humbasë Serbinë në drejtim të Rusisë, por ndërkohë ka marrë peng të ardhmen Evropiane të vendeve te tjera. Shembull është Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova me vizat”, ka deklaruar ai.

Sipas Kullës kjo gjendje mund të jetë e rrezikshme pasi që ajo mund të shfrytëzohet nga akterë tjerë, pasi që ka thënë se bllokimi i procesit të zgjerimit në Ballkan rrezikon të gjitha vendet e tjera, të cilat në kushtet e krizës të stërzgjatur ekonomike mund t’i hedhin sytë diku tjetër.

Sa i përket përdorimit nga Rusia të mediave të ndryshme të vendeve të rajonit, me qëllim të përhapjes së propagandës, lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave me theks të veçantë në Serbi, Mal te Zi dhe në disa media serbe në Kosovë, Kulla deklaroi se mes tyre ka informacion ka dhe dezinformacion, siç ka dhe propagandë.

“Kjo është normale. E rëndësishme që të ruhet profesionalizmi, por kjo nuk është gjithnjë e mundshme”, ka thënë ai.

/TV Malisheva

Share.