Në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ishte paraparë që të reduktohet norma e TVSH-së nga 18 në 8 përqind për hotelerinë dhe gastronominë gjatë vitit 2021, mirëpo ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë sot se nga 1 janari kjo normë do të rikthehet në 18 përqind.

“TVSh-ja e ulur nga 18 në 8 përqind ka qenë e paraparë që nga fillimi që të jetë në fuqi nga data 1 janar 2021 deri më 31 dhjetor 2021, dhe po skadon. Prej datës 1 janar të vitit të ardhshëm do të rikthehet në nivelin që ka qenë, pra 18 përqind”, deklaroi ai.

Në konferencën për media ku u prezantua raporti i punës vjetor për Administratën Tatimore të Kosovës(ATK), ministri i Financave, Murati e ka cilësuar një vit të suksesshëm tejkalimin e planit të buxhetit të rishikuar për 7 përqind nga kjo Administratë.

“Kemi pasur për herë të parë tejkalim edhe të buxhetit të rishikuar për 7 përqind. Një rezultat i tillë përveç që nënkupton një trajtim më të barabartë për të gjithë operatorët ekonomik, për të gjitha bizneset, në anën tjetër një performancë e tillë e mirë i mundëson edhe Qeverisë që të ketë të hyra më shumë për programe zhvillimore dhe për t’i mbështetur qytetarët e vendit drejtpërdrejt. Ndërsa sfidë vazhdon të mbetet formalizimi i ekonomisë për deklarim dhe përmbushje të obligimeve tatimore sipas ligjeve”, tha Murati.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj ka thënë se një ndër objektivat kyçe të kësaj Administrate është edhe inkasimi dhe përmbushja e planit vjetor për të hyrat.

Sipas Murtezajt, nga janari deri më 28 dhjetor, ATK ka inkasuar 591.4 milionë euro dhe 209.8 milionë euro kontribute pensionale.

Drejtori Murtezaj tha po ashtu se 35.4 milionë euro, ATK ka inkasuar më shumë se plani vjetor ose sipas tij 124 milionë euro më shumë se në vitin 2020.

“Me të dhënat e datës 28 dhjetor 2021, rezulton se ATK-ja ka arritur të inkasojë 591.4 milionë euro tatime, si dhe 209.8 milionë euro kontribute pensionale. Pra, gjithsej mbi 800 milionë euro. Me realizim të planit, rezulton që ATK-ja ka arritur që t’i tejkalojë të gjitha projeksionet, pra kemi aktualisht mbi 35 milionë euro apo 6.4 përqind më tepër se sa plani. Ndërkaq, në raport me vitin 2020 kemi mbi 124 milionë euro ose rreth 27 përqind”, theksoi Murtezaj.

Sipas ATK-së, edhe qarkullimi i bizneseve është rritur për 33 përqind.

“Gjatë vitit 2021 kemi pasur edhe rritje të qarkullimit të bizneseve, dhe në raport me vitin 2020 kemi pasur diku mbi 33 përqind rritje të qarkullimit. Vlera është mbi 13 miliardë euro është deri tani. Në raport me vitin 2019 kemi mbi 23 përqind rritje të qarkullimit të deklaruar nga ana e bizneseve”, theksoi ai.

Derisa përmendi se në vitin 2021 nga ATK-ja janë mbledhur borxhe në shumën prej 131 milionë euro. /TV Malisheva

Share.