Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari ka marrë pjesë në lansimin e projektit ACCESS, të financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC).

Ajo theksoi se digjitalizimi është potencial për ekonominë e Kosovës, që t’i shpërthejnë kufijtë rajonalë e ndërkombëtarë, posaçërisht ata drejt BE-së të vendosur padrejtësisht përmes regjimit të vizave.

“Digjitalizimi nuk pyet për kufijtë fizikë, por e mundëson rrjedhën e lirë të ideve dhe projekteve bashkëpunuese. Digjitalizimi krijon mundësi për ndërmarrësit tonë dhe rininë e Kosovës, një pjesë e së cilës ende mbetet e pa punë. Ne jemi të përkushtuar që secili cent i ardhur nga buxheti dhe financimet e partnerëve tanë, siç e kemi këtu rastin, do të kthehet në dobi për shoqërinë. Ne duam t’i shfrytëzojmë projektet, si projekti ACCES S për t’i përgatitur dhe ndihmuar ndërmarrësit e rinj dhe akterët tjerë në ekonomi, përfshirë institucionet publike. Qeveria e Kosovës i është mirënjohës Qeverisë së Austrisë për ndihmën e pakursyer që jep në këtë drejtim, andaj ne nuk do të kursejmë për ta mbështetur këtë projekt dhe nisma të ngjashme në të ardhmen”, tha ministrja Hajdari.

Ministrja tha se Qeveria është duke vepruar në rrethana sfiduese për shkak të keqmenaxhimit dhe korrupsionit në ekonominë e vendit.

“Këto kanë dëmtuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Si rezultat ne kemi rritje të pamjaftueshme ekonomike, varfëri persistente dhe ngecje në zhvillimin e sektorit privat. Si mund te mendojmë një korporatë të mirë-organizuar, publike apo private, pa procese biznesi të informatizuara, pa një EPR? Si mund te mendojmë një shërbim publik të mirëfilltë e të pa-digjitalizuar? Si mund t’i shohim të gjitha k ëto të mos jenë pjesë e një ekosistemi? Si mund të mendojmë transparencën pa open-data”, tha ministrja Hajdari.

Ndryshe, në këtë ngjarje u certifikuan 20 konsulentë digjitalë, që do të fillojnë nga marsi i këtij viti të ofrojë shërbime të transformimit digjital

Share.