Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar vetëpërmbajtje ndaj protestuesve të cilët janë brenda selisë së Partisë Demokratike. Në protestën kundër Lulzim Bashës, ai tha se protestuesit duhet të kthejnë selinë në shtëpi të lirisë, e jo bunker i “peng Bashës”.
Para selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, ku po mbahet protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, protestuesit po godasin me mjete të forta dyert e objektit të selisë.
“Protesta është dhe do të mbetet paqësore, ftoj të gjithë protestuesit demokratë, të cilët sot do të shndërrojnë bunkerin e peng Bashës në shtëpi të lirisë, të ruajnë gjakftohtësinë, të vetpërmbahen dhe të vendosur për realizimin e qëllimeve tona.”, ka deklaruar Sali Berisha.
Berisha ka kërkuar vetëpërmbajtje nga protestuesit, duke shtuar se në rast se ndërhyn policia, ky është vendim i kryeministrit Edi Rama.
“Peng Basha është i shkarkuar, unë kërkoj vetëpërmbajtje, vetëpërmbajtje, vetëpërmbajtje… Nëse ndërhyn Policia, do të ndërhyjë Edi Rama”, ka theksuar ai
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse nuk del jashtë selisë Lulzim Basha, ai ka thënë se nuk mund të ngujojnë sepse nuk janë parti burgjesh.
Ish-kryeministri, Sali Berisha deklaroi se bunkeri i krijuar nga Basha duhet të kthehet në shtëpi të lirisë.
“Këta referendarë të lirisë që kanë ardhur sot të kthejnë këtë bunkerë të Lulzim shëmtirës, Lulzim pengut, në shtëpinë e tyre të lirisë…. Shikoni si e kanë mbushur dhe kanë vurë post-blloqe pas post-blloqeve. Edvin Rama ka nga dje pasdite deri më sot që përgatit kurthe për në ndihmë të Lulzim pengut”, ka shtuar ai.
Berisha shtoi se brenda PD-së nuk po mbahet mbledhje por Basha është i rrethuar nga gardistët e Ramës.
“Është i rrethuar nga gardistët me kundra-gaz, ai është i rrethuar me gardistë”, ka shtuar ai.
Ai gjatë ecjes në drejtim të PD-së, ka reaguar edhe për lajmin e kërcënimit të Enkelejd Alibeajt. Sipas tij, kjo po bëhet që të merret marrë bashkëshortja e tij nga Edi Rama si anëtare e Gjykatës kushtetuese./TV Malisheva