Është mbyllur protesta e thirrur nga Sali Berisha. Për më shumë se tri orë, protestuesit demokratë kanë tentuar të hyjnë në objektin e selisë së Partisë Demokratike. Sali Berisha ka paralajmëruar se do të vijojnë edhe me protesta tjera më të fuqishme.
Ai tha se ky është mision i shenjtë dhe ka përsëritur se Lulzim Basha është peng i Edi Ramës.
“Ju ftoj ta mbyllim këtë protestë sot këtu për ta vazhduar në mënyrën më absolute dhe në forma edhe më të fuqishme se kjo që bëmë sot… Në radhë të parë dyert e selisë janë dyert e shtëpisë dhe jo të banditëve, ata që gjuajtën anëtarët e PD-së me karrige dhe me gurë, janë banditë dhe kriminelë të Edi Ramës. Të cilët tashmë janë të identifikuar me figura dhe me çdo gjë. Dyert e PD-së në mënyrë absolute do të hapen nga ata 44 mijë burra e gra që votuan për shkarkimin e peng Bashës”, ka deklaruar ai.
Lideri historik i demokratëve tha se Basha po e mban zyrën dhe selinë me forcën e Edi Ramës. /TV Malisheva