Prokuroria e Tiranës ka ngritur katër akuza për 34 persona të arrestuar pasi dyshohen si autorë të dhunës së shfaqur me datë 8 janar në protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha para selisë qendrore të Partisë Demokratike.

Në një njoftim për mediat, prokuroria sqaron se po kryhen të gjitha veprimet e duhura në drejtim të individualizimit të veprimeve të kryera nga secili prej personave të arrestuar dhe personave të tjerë të përfshirë në veprime në kundërshtim me ligjin.

Ata akuzohen për veprat penale, si “Shkatërrim prone” sipas nenit 150 të Kodit Penal, “Prishja e qetësisë publike” sipas nenit 274 i Kodit Penal, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” sipas nenit 282 te Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” sipas nenit 278 i Kodit Penal dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” sipas nenit 279 i Kodit Penal.

Në lidhje me këtë ngjarje janë ngritur disa pista hetimi.

“Dhuna e ushtruar nga protestuesit në drejtim të selisë së PD-së dhe pasojat e ardhura si shkatërrim prone, përdorimi i lëndëve të panjohura në drejtim të protestuesve para ndërhyrjes së policisë dhe dhuna e ushtruar në drejtim të tyre, mbajtja e sendeve të ndryshme të paligjshme dhe individualizimi i autorëve, si dhe çdo e dhënë tjetër e pretenduar deri në këtë fazë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Mësohet se hetimet po vijojnë në mënyrë intensive, ndërsa njoftohet se po punohet për sekuestrimin e pamjeve filmike dhe marrjen në pyetje të të gjithë personave që kanë dijeni me ngjarjen.

Prokuroria thekson se është e angazhuar maksimalisht për kryerjen e hetimeve me objektivitet, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të çdo personi që ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin.

Ditën e shtunë disa qindra mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha sulmuan selinë e Partisë Demokratike.

Ata ishin të mirëorganizuar, me varetë, shkallë, leva, çekiçë, trapanë dhe mjete të tjera me qëllimin e vetëm marrjen e selisë së PD-së nga Komisioni i Rithemelimit.

U desh ndërhyrja e policisë, që situata të vihej nën kontroll në pak minuta, pasi po rrezikohej seriozisht jeta e deputetëve që ndodheshin brenda selisë, si dhe kreut të PD-së Lulzim Bashës.

Nga protesta ka pasur edhe disa të plagosur, por nuk dihet ende numri i tyre.

Mbështetësit e Berishës u shpërndanë me shpejtësi pas futjes së policisë, e cila mori kontrollin e godinës së PD-së, duke u rreshtuar më pas një numër të madh efektivësh në hyrje të saj.

Prokuroria e kryeqytetit e rrethoi zonën si një skenë krimi dhe për disa orë oficerët e policisë gjyqësore dokumentuan aktet e dhunës.

34 persona janë arrestuar nga policia dhe 18 të tjerë janë vënë nën hetim për ngjarjet e ndodhura në selinë e Partisë Demokratike.

Organizatorët e kësaj proteste, që më së shumti kishin mobilizuar të rinj dhe adoleshentë në veprimet e dhunshme, nuk shprehën ndonjë distancim nga dhuna e ushtruar ndaj selisë së PD-së, madje pohuan se do të protestojnë përsëri.

Ata u larguan duke lënë pa asnjë derë e dritare selinë qendrore të Partisë Demokratike, që ata e quajnë shtëpia e lirisë dhe e demokracisë, pasi e goditën me të gjithë sendet e forta, pajisje hekurthyese nga më të ndryshmet.

Diplomatët amerikanë, evropianë dhe OSBE dënuan dhunën dhe u kërkuan organizatorëve të ulin tensionet e protestës./TV Malisheva

Share.