Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u prit sot në një takim nga homologu i tij, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me të cilin zhvilloi një bisedë të hapur.

Të dy kryetarët e shteteve vlerësuan potencialin e madh, që ekziston, për thellimin e marrëdhënieve shumë të mira fqinjësore mes vendeve tona, në të gjitha fushat, për një të ardhme më të shkëlqyer.

Duke shprehur vullnetin e palëkundur të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për mbrojtjen e vlerave euroatlantike, si dy vende anëtare të NATO-s, Meta dhe Pendarovksi, në kuadër të aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vunë në dukje nevojën e zhbllokimit të procesit dhe fillimit të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që sipas tyre, do të ketë një kontribut pozitiv në prosperitetin e përgjithshëm, konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

Presidentët Meta dhe Pendarovski vlerësuan se një ndihmesë të madhe në këtë drejtim japin vetëm nismat gjithëpërfshirëse, në mënyrë të veçantë Procesi i Berlinit, që garanton forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, Meta theksoi se zgjedhja e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për periudhën 2022-2023, do të shërbejë për të konsoliduar arritjet e deritanishme në rajon.

Meta duke vënë në dukje se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në këto dekadat e fundit kanë qenë jo vetëm të përkushtuar për stabilitetin e vendit, por edhe garantë të integrimit euroatlantik të saj, nënvizoi se respektimi i të gjitha lirive dhe të drejtave të tyre, sipas standardeve më të avancuara evropiane, është thelbësor./TV Malisheva

Share.