Kandidati për kryeministër, Dimitar Kovaçevski dorëzoi në Kuvend përbërjen dhe programin qeveritar.
Prioritetet programore sipas tij janë tejkalimi i krizave dhe përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve.
“Prioritet kryesor është menaxhimi me krizën energjetike në shtet, krizë evropiane e cila ndjehet edhe te ne. Prioritet i dytë është ngritja e standardit jetësor të qytetarëve dhe kompanive, përfshi rritjen ekonomike. Prioritet i tretë është përmbushja e qëllimeve infrastrukturore, projekte të cilat janë siguruar me buxhetin e vitit 2022”, tha sot kandidati për kryeministwr, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski theksoi se hapja e negociatave me BE-në dhe anëtarësimi i plotë mbeten alternativa e vetme e Maqedonisë së Veriut. Mbetjen e disa kuadrove në kabinetin e ardhshëm qeveritar, Kovaçevski e arsyeton me arritjen e rezultateve politike në dikastere të caktuara.
“Mbi bazën e analizave duket rritje e performancave në ministritë me të cilat udhëheqin, kanë rritur standardin e punës dhe kanë realizuar pjesën operative dhe pjesën e investimeve kapitale në nivel të lartë bazuar në programin e Qeverisë”, u shpreh Kovaçevski.
Debati mbi programin e Qeverisë dhe formatin e saj kadrovik do të zhvillohet në fundjavë. Të shtunën do të thirret seanca, ndërsa të dielën para mesnate duhet hedhur në votim. Kabineti i ardhshëm qeveritar do të numërojë 21 pozicione, nga të cilat tre zëvendëskryeministra, 17 ministra, në mesin e tyre një ministër pa resorë.
Kryeministër | Dimitar Kovaçevski |
Zëvendëskryeministre për Luftë kundër Korrupsionit | Sllavica Gërkovska |
Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike | Fatmir Bytyqi |
Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane | Bojan Mariçiq |
Ministër i Punëve të Brendshme | Oliver Spasovski |
Ministër i Punëve të Jashtëm | Bujar Osmani |
Ministre e Mbrojtjes | Sllavjanka Petrovska |
Ministër i Financave | Fatmir Besimi |
Ministër i Drejtësisë | Nikolla Tupançevski |
Ministër i Sistemit Politik | Artan Grubi (zëvendëskryeministër) |
Ministre e Kulturës | Bisera Kostadinovska Stojçevska |
Ministër i Shëndetësisë | Bekim Sali |
Ministër i Bujqësisë | Lupço Nikollovski |
Ministre e Punës dhe Politikës Sociale | Jovana Trençevska |
Ministër i Transportit dhe Lidhjeve | Bllagoj Boçvarski |
Ministër i Ekonomisë | Kreshnik Bekteshi |
Ministër i Arsimit dhe Shkencës | Jeton Shaqiri |
Ministër i Ekologjisë | Naser Nuredini |
Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës | Admirim Haliti |
Ministër i Vetëqeverisjes Lokale | Goran Milevski |
Ministër pa resor-përgjegjës për Diasporën | Xhemail Çupi |
Të hënën bëhet pranim-dorëzimi i detyrave. Qeveria e ardhshme do të numërojë shumicë prej 64 deputetëve, si koalicion mes LSDM-së dhe partnerëve parazgjedhor, BDI, Alternativa dhe PDSH./TV Malisheva