Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka bërë të ditur se duke filluar nga 1 marsi është planifikuar të fillojë zbatimi i plotë i projektit për vendosjen e ngjitësve (stickers) në mjetet motorike me qëllim të identifikimit më të lehtë nëse këto mjete motorike qarkullojnë si të regjistruara ose jo, si një ndër parakushtet e domosdoshme për anëtarësim në organizatën e Këshillit të Byrove në Bruksel.
Për këtë qëllim sot është mbajtur një takim ndërmjet guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmeti dhe zëvendësministrit të Mjedisit, Hysen Durmishi, përfaqësuesit e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) Besarb Blakaj, kryetar i Këshillit Administrativ dhe Sami Mazreku drejtor Ekzekutiv.
Në takim u tha se të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhur me vendosjen e ngjitësve nëpër mjete motorike do ta bartin siguruesit, respektivisht BKS-ja si përfaqësuese e industrisë së sigurimeve në Kosovë dhe se buxheti i shtetit të Kosovës nuk do të ketë asnjë ngarkesë financiare lidhur me vendosjen e ngjitësve.
“Duke filluar nga data 1 mars 2022 është planifikuar të fillojë zbatimi i plotë i projektit ashtu që brenda periudhës prej një viti të kemi një gjendje të re mbi automjetet e regjistruara rregullisht në Republikën e Kosovës. Nga kjo datë e tutje, anëtarët sigurues të BKS-së do të kenë autorizimin për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, me rastin e sigurimit të tyre pranë Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve”, thuhet në komunikatë.
Për implementimin e plotë të këtij projekti, lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers) në mjetet motorike për identifikimin e të njëjtave nëse ato qarkullojnë në komunikacion rrugorë të regjistruara ligjërisht ose jo, do të nënshkruhet memorandum i mirëkuptimit me kohëzgjatje prej një viti, për monitorimin e zbatimit të të njëjtit.
Zëvendësministri Durmishi u zotua se në kuadër të këtij memorandumi të mirëkuptimit, Qeveria e Republikës së Kosovës do të nxjerrë të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për të zbatuar plotësisht projektin në fjalë.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, në kuadër të kompetencave ligjore që kanë sipas ligjit, do të verifikojnë rregullsinë e dokumentacionit përkatës të mjeteve motorike në qarkullim rrugor./TV Malisheva