Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta u shpreh sot se i ka kërkuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve informacion mbi bashkitë e vendit ku kryetarëve u ka përfunduar para kohe mandati, në mënyrë që të përcaktojë datën për zgjedhjet e pjesshme vendore.

“Sot përmes një letre zyrtare të dërguar KSHZ, kam kërkuar informacion mbi faktin se cilat janë saktësisht ato njësi të qeverisjes vendore, pra bashki, në të cilat përgjatë kësaj periudhe 30 qershor 2019-janar 2022, sipas informacionit dhe vlerësimit, ku kryetarëve të bashkive u ka mbaruar mandati në mënyrë të parakohshme dhe cili është shkaku ligjor dhe akti përmes të cilit është realizuar përfundimi para kohe i mandatit dhe përplotësimin e të cilave është i domosdoshëm organizimi i zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor”, tha Meta.

Meta tha se mbetet në pritje të një përgjigjeje sa më të shpejtë nga KSHZ, në mënyrë që si President i Republikës të vazhdojë të ecë përpara për zgjidhjen e shpejtë të kësaj situate në interes të të gjithë qytetarëve të bashkive pa kryetar.

I pyetur nëse kreu i PD, Basha i kërkon sërish shtyrjen e zgjedhjeve duke parë situatën në PD, Meta tha se nuk dëshiron të hyjë në polemika me askë, por mbrojti vendimin e tij për të shtyrë zgjedhjet e 30 qershorit 2019 pasi tha se ka shmangur një konfrontim të programuar mes demokratëve, opozitarëve dhe socialistëve.

“Nuk ka nevojë të ketë Presidenti konsultim me askënd për arsye se nuk kemi të bëjmë me zgjedhje të përgjithshme vendore dhe me një hapësirë që gjendet një konsensus se kur bëhen këto zgjedhje. Këto duhet të ishin bërë me kohë. Ju mund të thoni pse nuk i keni bërë më përpara? Nëse unë do të veproja më përpara unë do të legjitimoja, ose ky akt do të përdorej për të legjitimuar si Kushtetuese gjoja zgjedhjet e 30 qershorit, që ishin anti-kushtetuese. […] Kështu që në këto kushte jam i detyruar thjesht të veproj në kushtet që parashikohet në rastet e tilla dhe pres reagimin nga Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pastaj kush ka dëshirë të regjistrohet, kush ka dëshirë të marrë pjesë, kush ka dëshirë të mos marrë pjesë”, u shpreh Meta.

Meta tha se po përmbush detyrimin e tij në këtë proces, ndërsa të tjerëve iu mbetet të përmbushin detyrimet e tyre, duke shtuar se “nuk detyroj askënd të hyj me pahir në zgjedhje”.

Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, Meta tha se Kushtetuesja nuk mori asnjë përgjegjësi, duke mos dhënë një përgjigje përfundimtare.

“Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit 2019, kur prisnim që Gjykata Kushtetuese përmes një vendimmarrje të themeltë, t’i rikthente popullit shqiptar mundësinë që të shprehte vullnetin e tij, përmes një procesi zgjedhor, të lirë, të ndershëm, konkurrues dhe të fshehtë, si dhe në përmbushje të gjithë standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare, për të zgjedhur përfaqësuesit e tij realë në pushtetin vendor, si për kryetarë bashkish edhe në këshillat bashkiakë. Përkundër kësaj pritshmërie të lartë dhe legjitime të popullit tonë, por edhe të shumë institucioneve ndërkombëtare, të cilët e kishin kushtëzuar ecurinë e procesit të çeljes së negociatave dhe integrimit të Shqipërisë edhe me plotësimin e këtij kushti nga Shqipëria, do të duhej të kishte një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese mbi zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, ndërsa kjo gjykatë nuk mori asnjë përgjegjësi”, deklaroi Meta./TV Malisheva

Share.