Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha sot se edhe këtë vit qeveria do të garantojë bonusin për çdo fëmijë që vjen në jetë, në Shqipëri apo jashtë, që regjistrohet në vendin amë.

Kreu i qeverisë shprehet se “43,581 fëmijë të lindur gjatë vitit që sapo lamë pas, bashkë me mbarësinë dhe gëzimin e papërshkrueshëm, kanë sjellë për familjet e tyre edhe bonusin e bebes”.

“115,764 fëmijë të lindur nga janari 2019 kanë përfituar nga mbështetja direkte e programit të mbrojtjes sociale për të porsalindurit. Edhe këtë vit, garantojmë bonusin për çdo fëmijë që vjen në jetë, në Shqipëri apo jashtë, që regjistrohet në vendin amë ;40,000 lek për fëmijën e parë; 80,000 lek për fëmijën e dytë; 120,000 lek për fëmijën e tretë e më tej”, tha Rama.

Bonusi i bebes është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 dhe mbështet familjet e reja, pavarësisht statusit social-ekonomik.

Bonusi përfitohet për të gjithë fëmijët e regjistruar në Shqipëri, pa dallim nëse kanë lindur këtu apo jashtë vendit.

Prindërit e fëmijëve të sapolindur e tërheqin çekun e bebes në maternitetin ku ndodhen duke kryer regjistrimin e menjëhershëm të fëmijës, duke shmangur të gjitha vonesat dhe burokracitë që kanë ndodhur më parë./TV Malisheva

Share.