Ministrja gjermane e Evropës, Anna Luhrmann do të vizitojë sot Maqedoninë e Veriut dhe të martën, 18 janar Shqipërinë. Siç bëhet e ditur nga një njoftim i ministrisë së Jashtme gjermane, Luhrmann do të takohet sot në Shkup me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Perandovski, kryeministrin e emëruar, Dimitar Kovaçevski (LSDM), zëvendëskryeministrin e emëruar, Bojan Mariçiq, ministrin e jashtëm, Bujar Osmani (BDI), si edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Në Shqipëri Ministrja e Shtetit do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, zv.ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme Megi Fino si dhe sekretarin e përgjithshëm të Rrjetit Rinor Rajonal RYCO, Albert Hani.

Erdogan mbërrin në Laç nën masa të rrepta sigurie, do të dorëzojë 524 banesa të financuara nga qeveria turke

Në njoftim thuhet se “Gjermania mbështet seriozisht perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE: Bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian duhet të nisin menjëherë. Të dy shtetet i kanë përmbushur kushtet për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. Ne kemi dhënë fjalën. Për rrugëtimin e mëtejshmën drejt Bashkimit Evropian vazhdon të jetë me rëndësi vendimtare vijimi me vendosmëri i reformave dhe qeverisjes së mirë.”

Në fokus të shkëmbimit gjatë bisedave do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi rajonal dhe programi i Shqipërisë si vend anëtar i ri jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ministrja e Shtetit Luhrmann do të takohet gjithashtu edhe me përfaqësues të shoqërisë civile për të biseduar ndër të tjera rreth mbrojtjes së klimës./TV Malisheva

Share.