Kryeministri Andrej Plenkoviq paralajmëroi dje se Kroacia do të reagojë “qartë dhe me vendosmëri” në rast se Rusia sulmon Ukrainën.
Rusia ka shqetësuar Kievin dhe Perëndimin duke grumbulluar trupa dhe pajisje pranë Ukrainës dhe ka frikë nga përgatitja e një sulmi. Moska e mohon këtë dhe pretendon se ka të drejtë të vendosë forca në territorin e saj sipas dëshirës.
Duke folur në Parlament, Plenkoviq vlerësoi se situata në Ukrainën lindore është jashtëzakonisht shqetësuese dhe më e tensionuara që nga viti 2014, në mes të konfliktit midis forcave ukrainase dhe rebelëve pro-rusë.
“Kroacia nuk dëshiron një përshkallëzim dhe do të reagojë qartë dhe me vendosmëri për të shmangur çdo destabilitet”, tha kryeministri pa dhënë detaje.
Kroacia është anëtare e BE-së dhe NATO-s, e cila ka paralajmëruar vazhdimisht Moskën se do të përballet me pasoja të rënda nëse sulmon Ukrainën. Zagrebi zyrtar në disa raste u ka ofruar autoriteteve ukrainase përvojën e tij të riintegrimit paqësor të rajonit të Danubit, i cili u pushtua nga serbët vendas në vitet 1990.
Si pjesë e raportit vjetor për takimet e Këshillit të BE-së, Plenkoviq tha se Kroacia do të hapë çështjen e të zhdukurve në luftë si pjesë e bisedimeve të anëtarësimit të Serbisë në BE.
“Kur kapitujt lidhur me këtë të dalin në rend dite, atëherë do ta vendosim atë temë në kontekstin e përparimit të mëtejshëm të Serbisë”, tha ai, përcjell Hina./TV Malisheva