Pas njё sёmundjeje tё rёndё dhe tё gjatë, nё moshën 77-vjeçare vdiq nё Zagreb Mikel Kuzhnini. Ai u lind në Prizren më 22.05.1942. Rrjedh nga një familje e ndershme, bujare dhe atdhetare shqiptare.
Mikeli është rritur dhe edukuar me një frymë të shëndoshë patriotike dhe liridashëse, që nga ditët e rinisë së hershme. Ishin këto vlera të cilat u mishëruan në personalitetin e tij, e të cilat i kultivoi gjatë gjithë jetës.
Mikel Kuzhnini, atdhetar i madh, do të mbahet mend për kontributin e shquar për bashkimin e shqiptarëve, për sensibilizimin dhe promovimin e vlerave kombëtare.
Mikel Kuzhnini, atdhetar i madh, do të mbahet mend për kontributin e shquar për bashkimin e shqiptarëve, për sensibilizimin dhe promovimin e vlerave kombëtare.
Në aktivitetin e tij kombëtar, rëndësi të veçantë i kushtoi arsimimit të të rinjëve shqiptarë, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, duke ofruar ndihma përkatëse materiale. Me aktivitete të tilla u mor vazhdimisht, gjatë gjithë jetës.
Duke vepruar, herë në mënyrë të organizuar, e herë në ilegalitet, Mikeli dha kontribut tё rёndёsishёm në ndërtimin e idealeve kombëtare, patriotike liridashëse e demokratike.
Në vitin 1968, Mikeli me të vëllain Simonin dhe disa shokë në Prizren e ngritën flamurin kombëtar pranë shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit. Pas atij akti Mikeli u desh të largohej për në Stamboll, duke zhvilluar aktivitete në Turqi. Angazhimi rreth këtyre çështjeve e detyruan familjen Kuzhnini që patjetër të largohej nga Kosova, dhe në vitin 1968/1969, të vendosen në Zagreb.
Ceremonia mortore përcjellëse mbahet të hënën në Varrezat Mirogoj të Zagrebit në orën 15.00, kurse varrimi i të ndjerit bëhet të mërkurën, më 28 gusht, në orën 14.30 në Prizren.
Qoft i përjetshëm kujtimi për Mikel Kuzhninin!
Zoti e bekoftë figurën e tij dhe familjen Kuzhnini!
Nazmi JAKURTI, Kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë, 24 gusht 2019.