Diabeti është një sëmundje metabolike e karakterizuar nga një rritje e sheqerit në gjak, e shkaktuar nga një vështirësi dhe pamundësi e menaxhimit metabolik nga trupi, shkruan melarossa.it.
Një tendencë negative e shkaktuar nga disa faktorë, përfshirë si plakjen e përgjithshme të popullsisë, ashtu edhe stilin e jetesës që karakterizon shoqërinë moderne.
Në fakt, rritja e marrjes së kalorive, mënyra e jetesës sedentare dhe obeziteti kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në rritjen e pacientëve me diabet.
Ushqimi i duhur dhe aktiviteti fizik i vazhdueshëm janë dy faktorë kyç për parandalimin dhe reduktimin e rrezikut të prekjes nga diabeti.
Njohja se si funksionon kjo sëmundje është e rëndësishme për ta parandaluar atë.
Të kuptuarit e shkaqeve të rritjes ose uljes së sheqerit në gjak (përqendrimi i sheqerit në gjak) në jetën e përditshme mund t’ju ndihmojë ta mbani atë nën kontroll!
Çfarë është diabeti?
Diabeti mellitus (ose i ëmbël) është një sëmundje kronike metabolike e karakterizuar nga një sasi e tepërt e sheqerit (glukozës) në gjak. Kjo gjendje shkaktohet nga një defekt në funksionin ose prodhimin e insulinës nga pankreasi.
Insulina është një hormon që luan një rol themelor në metabolizmin e sheqerit.
Detyra e saj është të rregullojë nivelin e glukozës në trup dhe, kur pankreasi nuk arrin ta prodhojë atë siç duhet, shfaqet hiperglicemia ose një tepricë e glukozës në gjak.
Aktualisht ekzistojnë disa forma kryesore të diabetit.
Klasifikimi i diabetit, i zhvilluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e ndan këtë patologji në kategoritë e mëposhtme.
Diabeti mellitus i tipit 1
Quhet edhe diabeti i të miturve, për shkak të predispozicionit të tij për t’u zhvilluar gjatë viteve të fëmijërisë dhe adoleshencës.
Ai bën pjesë në kategorinë e sëmundjeve autoimune: sistemi imunitar, duke identifikuar qelizat në pankreas që prodhojnë insulinë (qelizat Beta) si të huaja dhe të dëmshme, prodhon antitrupa që i sulmojnë dhe i shkatërrojnë ato.
Si rezultat, prodhimi i insulinës zvogëlohet dhe ka një tepricë të glukozës në gjak.
Diabeti mellitus i tipit 2
Ndodh kur pankreasi është në gjendje të prodhojë insulinë, por kjo është e pamjaftueshme ose nuk përdoret në mënyrë optimale nga trupi, për shembull për shkak të rezistencës ndaj insulinës, për shkak të faktorëve të ndryshëm.
Deficiti i sekretimit të insulinës përparon me kalimin e kohës, por kurrë nuk çon në një mungesë absolute të hormonit./TV Malisheva