Një grup qytetarësh nga Kukësi protestuan sot në pikën kufitare të Morinës që lidh Shqipërinë me Kosovën.
Arsyeja është vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës që për shtetasit e huaj kërkon tri doza vaksine ose dy si dhe testin PCR jo më të vjetër se 48 orë për të hyrë në vendin tonë. Kjo ka ngjallur revoltë tek kuksianët që lëvizjen e tyre drejt Prizrenit e kanë të përditshëm.
Qytetari 1: Jam duke i rregulluar dhëmbët në Kosovë
“Kam dalë të shkoj në Kosovë, Kosova është Shqipëri, jo Kosovë. Jemi bashkë ne. Dola që pardje kam bërë llafe se jam duke i rregulluar dhëmbët në Kosovë. Nuk më lanë. Dy doza i pata, tha shko bëji tre ose tamponin. Edhe nuk më la”, tha një i moshuar.
Një tjetër qytetar tha se në Prizren ka motrën dhe nipat si dhe shkon tek ata për shumë arsye.
Qytetari 2: Dua të shkoj të shoh njerëzit e mi
“Unë kam motër, kam njerëzit e mi, nipa e stërnipa në Prizren e dua të shkoj edhe për qejf edhe për dert, edhe për ndonjë sëmundje, ndonjë vdekje, ne kemi hyrje-dalje me ta. Dua të shkoj në shtëpi timen. Sot ne të gjithë këta që kemi dalë për të protestuar sepse nuk po a lënë të shkojmë të shohim njerëzit tanë”, tha ai.
Protestuesit kërkuan që Qeveria e Kosovës të rishikojë me urgjencë vendimin dhe ta heqin të njëjtin.
Qytetari 3: Boll s’e kemi parë njëri-tjetrin për 40 vjet
“Në këtë të ftohtë ne kemi thirrur një protestë paqësore që t’i kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të lehtësojë lëvizjen e lirë të popullsisë shqiptare, Shqipëri-Shqipëri, Dhe ne i kërkojmë me çdo kusht Qeverisë së Kosovës që të na heqin barrierat, vaksinimin, sidomos vaksinën e tretë, të na heq tamponin, të na heqin lëvizjet për njerëzit, të mos kërkojë tamponë për një vizitë te farefisi ynë, se boll 40 vjet nuk i pamë më sy e tash prape po na del pas 40 vitesh sot po bëjmë 110-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar dhe prape po na dalin barriera”, tha një tjetër protestues.
Një tjetër qytetar që po kërkonte të shkonte ne Prizren për arsye familjare, tha se vaksinën e tretë nuk kanë të drejtë ta bëjë gjithkush, por vetëm personat mbi 60-vjeç ose ata me sëmundje kronike.
Qytetari 4: Vaksinën e tretë s’kemi të drejtë ta bëjmë
“Sot kemi dal sepse na ka bllokuar Qeveria e Kosovës për të mos shkuar në Prizren. Na në Prizren kemi dalë që 30 vjet pas mbarimit të luftës, shyqyr që erdhi ajo ditë, sot po na bllokojnë me mënyra të ndryshme. Tre vaksina ne nuk kemi të drejtë t’i bëjmë, sepse sipas Këshillit Ekspertëve ka thënë mbi moshën 60-vjeç ose ata nën 60-vjeç me sëmundje kronike. Ne s’kemi të drejtë të marrim tri vaksina. Ne kemi farefis, ne shkojmë për mirë, edhe për qejf, sot qeveria e Albin Kurtit të na bllokojë në këtë mënyrë nuk është normale, nuk i ka hije”, tha ai.
Reagime kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës që kërkon tri doza vaksine për të hyrë në Kosovë e kanë kundërshtuar edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës si dhe ata në Maqedoninë e Veriut./TV Malisheva